“Ekipi më habiti në stërvitje, kënaqem edhe me një pikë”
Dedja: Testin e vërtetë e kanë në Gjirokastër
Hysen Dedja kërkon që ta nisë me pikë aventurën te Lushnja. Pas 16 vitesh, ai është rikthyer në krye të verdhejeshilëve dhe garanton se ekipi i tij do të jetë i gjallë në pjesën e mbetur të këtij sezoni. Megjithatë, shkodrani tregohet realist kur thotë që edhe një barazim do ta kënaqte ndaj Luftëtarit. "Përkushtimin dhe lëvizshmërinë e ekipit do ta kemi për të gjitha ndeshjet. Gjithmonë, fillimi është shumë i rëndësishëm. Për më tepër për pozicionin që ka Lushnja në tabelë. Kundërshtari është shumë i fortë, sidomos në fushën e tij. Me sa e kam ndjekur, nuk e meriton të jetë aty ku është. Kanë lojtarë cilësorë brenda. Ndoshta kanë pasur probleme të stafit më parë dhe janë aty. Megjithatë, janë probleme të Luftëtarit. Ne shkojmë me objektivin tonë, për dy rezultatet pozitive, duke futur edhe barazimin brenda. Kam besim te skuadra. E shoh dëshirën e tyre në stërvitje, jam optimist. Tek i gjithë grupi, konkretisht te 20 lojtarët që kam pasur në dispozicion, vërej dëshirën për të gjetur rrugën e kthesës. Edhe unë në atë syrin tim nuk e shikoj se kush është, por ai që do të kontribuojë më tepër do të jetë në 11-she", deklaroi Dedja. Tekniku shkodran ka mbetur i kënaqur nga përgatitjet e skuadrës duke u shprehur se e ka
gjithçka të qartë sot para Luftëtarit. "Po të shikosh këta djem në stërvitje, të habisin. Por, testin më të mirë do ta kenë në Gjirokastër. Nuk kam pasur shumë kohë për t'i stërvitur, por për aq ditë sa i kam parë, kanë reaguar mirë", përfundoi trajneri. Sakaq, ekipi ka mbyllur dje përgatitjet me një seancë të zhvilluar në fushën e stadiumit. Përgatitjet ishin më së shumti taktike, ndërsa gjatë pasdites ekipi mori rrugën për në qytetin e gurtë. Alban Alushi