"Kampionët luajnë në plantacione gështenjash, e Para… gallatë sportive"
Në lidhje me mungesën e tifozëve në stadiumet shqiptare, Faruk Sejdini sjell opinionin e tij mbi faktorët që kanë larguar sportdashësit nga shkallët. Në opinionin e tij dhënë për "Panorama Sport", "Xhaxhi" liston kushtet e infrastrukturës, besueshmërinë e ulët të sportdashësve apo edhe ndikimin e politikës në klubet shqiptare dhe për pasojë edhe te tifozët:
"Kriza vjen nga mosbesimi. Është faktori kryesor. I referohem mosbesimit ndaj lojës. Në vendin tonë ka humbur besimi në realitetin e futbollit shqiptar dhe fakti që të gjithë janë mosbesues, sjell edhe këtë gjë, pra, largimin nga stadiumet. Kjo gjë vjen sepse influencojnë shumë faktorë në vendin tonë. Faktor bëhet edhe influenca e politikës në futboll. Influencojnë si fakt edhe të fortët. Influencojnë si faktorë ndikimi në federatë etj,. duke pasur të gjithë këtë kontur, krijohet ideja se 'nuk kam çfarë të shoh në stadiume'.
- Për të thënë se çfarë duhet bërë, duhet të jap një shembull: Sa herë fillojnë zgjedhjet, lokale apo parlamentare, lëvizja me ekipet është në maksimum. Gjithçka ndryshon në politikë, interferon te skuadra dhe drejtpërdrejtë te spektatorët. Tifozi është dashamirësi i skuadrës dhe nuk interesohet për asgjë tjetër në atë momentin e ndeshjes. Mirëpo, duke parë lëvizjet dhe ndikimet e sipërpërmendura, nuk vjen më në stadium se e di mirë se çfarë pritet të ndodhe: pra, ekipi do të fitojë se ka një të fortë si drejtues, apo edhe faktin që ekipi do të mundet sepse drejtuesit e tij nuk janë të zotët për të hyrë në një ndeshje si të barabartë dhe për të luajtur futboll të pastër. - Infrastruktura në futbollin shqiptar është masakër. Si mund të luajë futboll një ekip kampion në atë mostër fushë. Vetëm fushë nuk mund të quhet, le ta quajnë si të duan. Edhe plantacion gështenjash nëse duan, vetëm emrin e fushës nuk mund t'i vënë. Shembulli më i mirë është Skënderbeu që ka krijuar një infrastrukturë të veten në nocionin kombëtar dhe ndërkombëtar që rivalizon. Kjo, për faktin se i plotëson të gjithë parametrat që kërkohen. Edhe pse jo në formatin ideal. Partizani është pa fushë, Kukësi pa fushë, Lushnja sërish pa fushë. A mjaftojnë? Për të vijuar, në nisje të kampionatit, katër ekipe luajtën në transfertë për këtë shkak. E pas të gjithë këtyre, si mund të vijnë njerëzit në shkallët e stadiumeve dhe si mund të quhet futboll për të sjellë spektatorë?
- Më tej, FSHF-ja ka një rregullore që saktëson qartë se ekipet që nuk kanë fushë dhe stadium që plotëson disa standarde dhe kritere, nuk duhet të zhvillojnë ndeshje, apo nuk certifikohen apo nuk federohen (le t'ia vendosim si të duam termin). Mirëpo, të gjithë luajnë dhe kur nis kampionati shumë prej tyre s'kanë asnjë kriter dhe nis arratia për të gjetur një fushë. Më e keqja është që i referohemi Superiores, pasi nëse flasim për kategorinë më të ulët, është një gallatë sportive".