Panorama Sport (Albania)

Nga "play-off"-i në "play-off", nga Rusia për në... Rusi

-

Kur fati e vendos... Tetor-nëntor 1997, sfida "play-off" kundër Rusisë, për të marrë pjesë në Botërorin "Francë 1998". Nëntor 2017, sërish "play-off", por kundër Suedisë, për të marrë "biletën" për në Botërorin "Rusi 2018". Dhe në grupin aktual të "axurrëve", ai është i vetmi që mund të thotë se "unë isha" në atë ndeshje dhe ky është Xhixhi Bufon. Në atë epokë, 19-vjeçar, ai bëri debutimin pikërisht në sfidën delikate, në ndeshjen e vajtjes: shkoi mjaft mirë, sepse "stofi" prej kampioni ka qenë gjithmonë "veshja" e tij më e mirë. Sot, 39vjeçar, ai ka në projekt Botërorin e gjashtë të karrierës së tij. Kapiteni dhe një portier i pashtershë­m, Bufon është garanti më i madh i aventurës së të kaltërve. Përvjetori i 20-të i karrierës së tij i ka ofruar një koincidenc­ë kurioze, jo vetëm kohe, por edhe destinacio­ni. Me Rusinë, atëherë shkoi kështu: ishte 29 tetor 1997, Italia e Çezare Maldinit luante sfidën e vajtjes ndaj Rusisë, në Moskë. Paljuka dëmtohet në minutën 32 dhe Bufon zbret në fushë me mëngë të shkurtra, edhe pse në një fushë të baltosur nga bora e shkrirë, duke shënuar prezencën e parë me kombëtaren. Ndeshja ishte 0-0: "Ishte një natë me borë, një fushë e baltosur, kushtet më të këqija për të debutuar. Luanim për të shkuar në Botëror dhe në fund ia dolëm... 20 vitet në kombëtare janë dhurata më e bukur që më ka bërë jeta. I kam merituar, por edhe i kërkova, sepse nuk është e lehtë që të qëndrosh për dy dekada në radhën e parë dhe t'i vësh vetes si objektiv që të mos heqësh dorë asnjëherë", nënvizon Bufon. "Play-off"-et e 20 viteve më parë përfunduan, 1-1 në Rusi (gol i Vierit dhe autogol i Kanavaros) dhe fitore 1-0 në Itali, në Napoli, me gol të Kaziragit. Tani, Bufoni do të kërkojë të "presë" edhe Botërorin e tij të gjashtë, por këtë herë për të qenë në Rusi dhe për të nderuar 173 prezencat dhe rekordet e tij me fanellën e kombëtares. Dhe Bufon e di sesi bëhen këto gjëra...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania