"Më thanë që duhet të lë futbollin, por thjesht më motivojnë"
Pas ndeshjes me Flamurtarin, ku edhe shënoi një gol për korçarët, Gjergji Muzaka foli për formën që po kalon dhe faktin se fjalët ndaj tij e ndihmojnë akoma më shumë që të japë më të mirën për ekipin e tij. Në deklaratën e dhënë për "Super Sport", ai shpjegoi edhe arsyen e mosfestimit të golit të barazimit. Ai ka komentuar golin ndaj ish- ekipit, nivelin e kundërshtarëve, festën e munguar, si edhe për kritikat që i janë bërë në të shkuarën dhe përgjigjen që u jep herë pas here në fushën e lojës.
Keni shënuar ndaj ishskuadrës një pikë me shumë vuajtje...
Ishte një ndeshje e vështirë. Flamurtari na vuri në vështirësi.
A është Flamurtari kundërshtari më i fortë, me të cilin jeni ndeshur deri tani?
Renditja e Flamurtarit ka treguar që ka bërë një kampionat të mirë, dhe që është një kundërshtar shumë i fortë. Pse nuk festuat ndaj ishskuadrës suaj? Pavarësisht se i respektojmë ish- ekipet duke mos festuar kur shënojmë, e kemi treguar që jemi profesionistë me fanellën e ekipit, të cilit kemi veshur.
Sa herë e mendoni shprehjen "Gjergji i ka fikur motorët, duhet të mendojë për një pozicion drejtuesi"?
Këto kohët e fundit, këtë shprehje e kam dëgjuar shpesh. Sa herë kam shënuar, këtë pyetje më kanë bërë. Ma përmendin shpesh dhe kjo më jep më shumë forcë për të dhënë më të mirën. Madje, ju falënderoj që ma risillni disa herë ndërmend edhe në studio.
Këtë herë shënuat me kokë, ndërkohë që keni si specialitet goditjet më këmbë...
Çdo gol është i bukur, me çfarëdo që ta shënosh. Është i bukur, sidomos atëherë kur ndihmon ekipin.