Mezani: Me këmbë në tokë, të mos futemi në presion objektivash
Trajneri i Laçit, Gentjan Mezani, u shpreh më se i kënaqur me fitoren e arritur ndaj Partizanit. Në prononcimin për "Supersport", vlonjati tha se e kishte përgatitur ndeshjen me mjaft kujdes dhe se skuadrën nuk duhet ta fusin në presion duke i vendosur objektiva. "Më shumë se i kënaqur nuk mund të jem pas kësaj fitoreje. Morëm trepikësh, ishte shumë e rëndësishme ta fillonim mirë. Kemi bërë një pjesë të parë të mirë, duke sfiduar edhe erën. Pjesën e dytë goli erdhi shumë shpejt dhe u mundëm të ishim në ekuilibër duke e mbrojtur rezultatin mjaft mirë. E ndërtova lojën që të ishim të kujdesshëm në goditjet standarde, pasi aty Partizani është mjaft i rrezikshëm. Arritëm që të sistemoheshim me kalimin e lojës, sepse ishim jashtë detyrave në momentet e para të takimit. Objektivat? Ne jemi një skuadër që duhet të rritemi dhe të marrim pikët e duhura për të qenë të qetë. Kampionati është i gjatë dhe do të bënim gabimin më të madh për të futur skuadrën në presionin objektivash. Si në Laç, edhe në Vlorë është e njëjta gjë, kur puna bëhet me pasion. Në Laç jam si në Vlorë. Të gjithë më ndihmojnë për ta bërë punën mirë. Unë e bëj punën me pasion", u shpreh fillimisht Mezani. Ndërsa pyetjes se Rexhinaldo mund të bëjë Xhejmsin e dikurshëm te Laçi, trajneri u përgjigj: "Ne qëndrojmë me këmbë në tokë. Jemi një skuadër me çuna të rinj. Rexhinaldo është një lojtar cilësor. Duhet të shfaqemi të bëjmë mirë, duhet që lojtarët ta justifikojnë besimin për të qenë pjesë e Kategorisë Superiore. Rexhinaldo është një forcë e shtuar në skuadrën tonë dhe është luks të kesh një sulmues si ai".