Magani gjen qetësi: Tani dua vazhdimësi
Trajneri mbledh ekipin: Më pëlqyen lojtarët e stolit, treguat që jemi një familje
Nuk ka pushim për Teutën. Pas suksesit në transfertën e Gjirokastrës, "Djemtë e detit" u janë rikthyer menjëherë përgatitjeve në terren për ndeshjen e 11- të të Superiores. Kundërshtari i radhës është Vllaznia, kuqebultë nuk po kalojnë një moment të mirë dhe durrsakët duan të shfrytëzojnë këtë moment për të vijuar me ecurinë pozitive. Ditën e djeshme, Gugash Magani preferoi të zhvillonte vetëm një seancë stërvitore, e cila u krye paradite. Në dispozicion të tij ishte i gjithë grupi i futbollistëve. Përtej zhurmës së krijuar dhe akuzave të shumta që vinin nga kampi rival, suksesi me Luftëtarin ka rikthyer harmoninë në ekip. Dhe kjo u pa qartazi mes lojtarëve, që u shfaqën entuziastë. Përpara fillimit të përgatitjeve, si zakonisht trajneri peqinas i mblodhi të gjithë futbollistët për të zhvilluar një mini- analizë. Ai përgëzoi të tijtë për fitoren e arritur në javën e 10- të të Superiores dhe kërkon që e njëjta frymë të ruhet në vazhdimësi. "Ky është ekipi që dua. Bravo çuna, të vazhdojmë kështu dhe të mos ndalemi më. Në Gjirokastër më keni dhënë sinjale shumë pozitive, atë që kam kërkuar prej javësh nga ju. Përveç të gjithash, më pëlqyen edhe lojtarët e stolit, të cilët ishin të gatshëm të ndihmonin ekipin. Ky është grup, ajo që ju kam thënë gjithmonë, me Luftëtarin treguam se jemi vërtetë familje", u tha Magani lojtarëve para stërvitjes për sfidën me Vllazninë. Më pas, lojtarët u ndanë në dy grupe, ata që u aktivizuan bën vetëm disa ushtrime të lehta dhe kryesisht shtrydhëse për të rikuperuar energjitë. Ndërkohë pjesa tjetër u stërvit normalisht me stafin teknik që aplikoi ndër të tjera ushtrime force dhe tekniko- taktike. Për ndeshjen kundër Vllaznisë, trajneri peqinas e ka të gjithë grupin e gatshëm pasi edhe mesfushori Ardit Hila, që ishte i pezulluar për shkak kartonësh, e shleu dënimin në takimin me Luftëtarin. Drilon Xhepollari