Golat, Hames më efikas se Levandovski
Pas largimit të trajnerit italian Karlo Ançeloti nga skuadra e Bajernit, një prej lojtarëve, të cilët ai dëshiroi të nënshkruanin me bavarezët, ka qenë edhe mesfushori kolumbian, Hames Rodrigez, i cili nuk e ka pritur aspak mirë largimin e italianit pas humbjes 3-0 ndaj skuadrës franceze të PSG-së në fazën e grupeve të Champions League. Me rikthimin në skuadrën e kampionëve gjermanë të trajnerit Jup Hejnkes, javët e para kanë qenë edhe më të vështira për mesfushorin kolumbian si pasojë e problemeve me gjuhën gjermane dhe përshtatjen me taktikat e reja të Hejnkes. Mirëpo sipas mediave gjermane, Hames Rodrigezit nuk i mungon më ishtrajneri Ançeloti. Gjatë një interviste, mesfushori kolumbian ka folur me superlativa për trajnerin e ri duke thënë se: "Jup Hejnkes është një trajner, i cili ka një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe di të bëjë një punë të shkëlqyer te Bajerni. Ai është gjithmonë i qartë me taktikat që do të përdorë dhe t'i përshtatë ato në varësi të stilit të lojës për çdo lojtar të skuadrës bavareze."
STATISTIKAT- Në vetëm katër javë nga rikthimi në skuadrën e kampionëve gjermanë të trajnerit Jup Hejnkes, kolumbiani Hames Rodrigez ka arritur të mësojë shumë prej tij dhe të shfaqë një paraqitje edhe më të mirë se më parë. Konkretisht, mesfushori ka arritur të luajë në dy prej ndeshjeve më të rëndësishme deri tani, atë ndaj Lajpcigut dhe Borusias së Dortmundit ku ka shënuar një gol dhe ka dhënë dy asiste. Hames Rodrigezit, sipas statistikave, i duhen 65 minuta për të shënuar një gol, shifër kjo, e cila e rendit të parin si lojtarin më efektiv në Bundesligë duke lënë pas Robert Levandovskin me 83 minuta për gol, Arjen Roben me 137 minuta për gol, Korentin Toliso me 148 minuta për gol dhe Tomas Myler me 151 minuta për gol. Lidhur me këtë, Hames Rodrigez ka thënë se: "Jam i lumtur që kam arritur të përmirësohem ndjeshëm në ndeshjet e fundit, ndoshta edhe nga aktivizimet më të shpeshta. Nëse luan më shumë, është normale që do të arrish të japësh edhe më shumë."