Besëlidhja nis merkaton, rikthehet sulmuesi Kosta Bajiç
Serbi ka mbërritur dje në Lezhë, nis stërvitjen
Kushtet shumë të këqija të motit kanë bërë që të shtyhen ndeshjet e Kategorisë së Parë për këtë javë. Pasditen e së premtes, skuadra lezhjane nën drejtimin e trajnerit Gledis Lani vijoi stërvitjen në kalçeto. Ndërkaq, Besëlidhja e ka nisur që tani merkaton e janarit. Dje ka mbërritur në Lezhë dhe i është bashkuar skuadrës në stërvitje ish-sulmuesi shtatlartë, serbi Kosta Bajiç që u largua në fund të sezonit të kaluar. Sulmuesi serb e ka veshur fanellën lezhjane për herë të parë në janar të 2015-ës dhe ka qëndruar deri në mbyllje të sezonit të shkuar, gjithsej dy sezone e gjysmë. Në fund të sezonit 20152016 sulmuesi Kosta Bajiç ishte goleadori i Besëlidhjes dhe i të gjithë Kategorisë së Parë, por shënimi nga ana e tij i 5 golave në ndeshjen e fundit ndaj Mamurrasit, nga FSHF-ja u konsideruan të dyshimtë dhe nuk iu dha "Këpuca e Artë". Në një prononcim për gazetën, trajneri Gledis Lani flet për shtyrjen e kampionatit dhe sfidën e radhës ndaj Tërbunit. "Vendimi i Federatës për shtyrjen e kampionatit është në favorin tonë, pasi të mërkurën luajtëm ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës duke u ndeshur me Skënderbeun dhe në atë ndeshje skuadra dha më të mirën e mundshme, pavarësisht rezultatit. Këto ditë do t'i shfrytëzojmë maksimalisht, jo vetëm për të rikuperuar energjitë e shpenzuara, por do të punojmë edhe në drejtim të meremetimit të gabimeve që janë evidentuar deri tani. Objektivi ynë është kampionati, ndaj aty e kemi të gjithë vëmendjen dhe kujdesin për të eliminuar sa më shumë të metat dhe dobësitë", përfundoi Lani. Preng Gjikola