Ronaldo dhe Reali ulen në fronin botëror
“Topi i Artë” çan murin dhe siguron fitoren e trofeut për madrilenët
Kristiano Ronaldo bën diferencën dhe dje ishte momenti për ta kuptuar edhe trajneri i Gremios, Renato Portalupi. Portugezi shënon golin e shtatë në një botëror për klub duke u dhuruar madrilenëve trofeun e gjashtë "botëror": përveç tre Interkontinentaleve, janë po tre edhe trofetë në Botërorin për klube, duke u bërë ekipi i parë që arrijnë diçka të tillë. Ndeshja e djeshme pati vetëm një drejtim dhe u vendos nga një gol në minutën e tetë të pjesës së dytë nga portugezi me goditje dënimi. Rezultati i ngushtë nuk tregon të vërtetën për ecurinë e takimit me ekipin e Gremios që për 90 minuta nuk mundi të krijojë asnjë rrezik në zonën e Navas. Zidan, nga ana e tij, feston titullin e tetë në 23 muaj si trajner, ndërsa për Realin ishte trofeu i pestë për këtë vit.
VETËM REAL - Ndeshja nis menjëherë shumë ashpër me Geromel (kapiteni i Gremios) që vetëm pas 70 sekondash ndërhyn ndaj Ronaldos. Portugezi nuk shtiret, teksa përpëlitet në tokë duke i treguar shenjat e ndërhyrjes arbitrit meksikan, Ramos, që nuk dihet përse nuk nxori menjëherë kartonin. Brazilianët duket se zbresin në fushë për të mos pësuar dhe Reali përfiton duke fituar terren. Me gjithë supremacinë e "Los Blancos", goditja e tyre e parë drejt portës vjen në minutën e 20-të, kur Ronaldo tenton pa sukses nga distanca. Pak më pas kombinim Marselo-Izko dhe krosim në zonë për Karvahal që gabon shënjestrën. E vetmja përgjigje e Gremio, vjen në minutën e 40-të, me Edilson që nuk arrin të inkuadrojë portën. Dy përpjekje të tjera të Ronaldos janë gjithçka që ofron tjetër pjesa e parë.
SHPËRDORIM - Edhe pas pushimit, sfida vazhdon me monologun e Ronaldos përballë portës së Gremios. Goli gjithashtu është i gjithi prodhim i portugezit që fillimisht pëson faullin e më pas ekzekuton goditjen e dënimit që do të sjellë golin e fitores. "Topi i Artë" gjen përsëri golin, por këtë herë i mohohet për pozicion jashtë loje të Benzemasë. Francezi përsëri i vërshëllyer i lë vendin Bejlit, ndërsa pak më parë, Vazkes zëvendësonte Izkon. Ndeshja nuk ndryshon drejtim as me ndryshimet e Gremios dhe kur Reali arrin të mbyllë aksionet, gjithmonë prezent portieri Grohe që ndal çdo tentativë në drejtim të tij duke mos lejuar ndryshimin e rezultatit deri në fund. Për Zidanin dhe Realin mjafton një avantazh minimal për të siguruar trofeun, ndërsa tifozët madrilenë festojnë trofeun e radhës në pritje të "El Classico"-s së fundjavës së ardhshme.