Daja: Lojtarët nuk më dëgjuan, duam sulmues
“Analizë për paraqitjen, Vangjeli? Kujdes me kartonët”
Ka gjithmonë vend për kritika. E tillë është filozofia që të çon drejt suksesit dhe ky është mentaliteti i trajnerit Ilir Daja. Në daljen pas ndeshjes për "Super Sport", tekniku i korçarëve ka pranuar se lojtarët e tij kishin gabuar në strategjinë e lojës, duke vijuar lojën me kombinime të shpeshta të topit, në vend që të tentonin më shumë goditje nga zona e 16 metrave. Numri një i pankinës së korçarëve ka vlerësuar paraqitjen e të tijve në masën më të madhe, por ka bërë me dije se gjatë analizës me video, secili prej lojtarëve do të shohë edhe se çfarë ka bërë.
FITORJA - "Nuk e kishim menduar fitore të lehtë këtë me Lushnjën dhe nuk ishte e tillë. E kam me disa lojtarët e mi që duhet të përshtaten me terrenin. Nuk mund të luash në mënyrë akademike me qarkullim topi në zona të ngushta në të tillë terren. Duhet ta zgjidhnim që në pjesën e parë me goditje nga zona e 16-metërshit. Nuk e vumë në diskutim fitoren, përveç një goli të pësuar në goditje standarde dhe kjo më shqetëson".
QETËSIMI - "Ne futemi në fushë për fitore dhe secila i jep qetësi ekipit. Kam rezervat e mia dhe të martën në analizën me video, secili do të shohë performancën se çfarë ka bërë. Do të hidhen në fushë të gjithë lojtarët që japin maksimumin".
ZËVENDËSIMET - "Mendoj që mund të ndërhyhet në momentin që ekipi ka zhbalancime. Pavarësisht se lojtarët nuk përshtaten me terrenin, ndërrimet bëhen në funksion të ekuilibrit të ekipit. Nuk mundet që një skuadër si Skënderbeu, që ka qarkullimin e dendur të topit si karakteristikë, të përshtatet në një ditë me ndryshimin e lojës. Më shqetëson fakti që tentuam me të njëjtën mënyrë, pasi nuk mund të futemi me kombinacione në zonë, por mund ta zgjidhim edhe me goditje. Këtë gjë nuk e pashë, pavarësisht se ua kërkova edhe para dhe në pushim të ndeshjes".
SUPER OFENSIV - "Çdo lojtar, pavarësisht pozicionit që ka, duhet të marrë pjesë në të dy fazat e lojës. Kur janë pesë sulmues dhe kur bëjnë mirë presingun ultra-ofensiv, dhe kur kundërshtari nuk të shqetëson veçse me pas të gjatë, është mirë. Çedon pak Soue që nuk e ka ende formën fizike të plotë, ndërsa të tjerët, mendoj se ishin në kondicion të mirë fizik. Theksi i lojës sonë është edhe spektakli. Kur ke më shumë lojtarë me tipare sulmuese, i japin bukuri sulmit".
MERKATO - "Sigurisht që çdo ekip ka nevojë për merkato. Nuk do të thosha numër, por ne kemi nevojë në sulm sepse duhet të kemi disa alternativa. Soue ka pasur ngarkesë shumë të madhe dhe kur u dëmtua, na solli probleme. Do të fillojmë që të mendojmë për sulmin dhe më pas për të analizuar se çfarë kemi bërë dhe cilat janë pikat që duhen përforcuar".
REZERVA PËR VANGJELIN - "Për momentin e kartonit, sigurisht që bën pjesë edhe Kristi, por jo për veprimet tekniko- taktike, pasi ishte lojtar i mirë në mbrojtje bashkë me Radasin. Por një futbollist me eksperiencë nuk ka pse të marrë karton për debate apo për 5 metra distancë në rivënien anësore. Edhe mungesa e Krisitit me Laçin ishte e rëndësishme për ne dhe erdhi pikërisht pas të kuqit që mori një ndeshje më parë pa pasur nevojë", deklaroi Daja.