Laçi feston përgjysmë, Flamurtari me sytë nga qielli
Kurbinasit në avantazh, sot në orën 14:00 akti i dytë
Flamurtari dhe Bylisi nuk kanë luajtur më shumë se 48 minuta bashkë me shtesën e pjesës së parë, pasi reshjet e shumta të shiut e kanë bërë të pamundur zhvillimin e takimit. Në momentin që skuadrat po tentonin të nisnin pjesën e dytë, arbitri kryesor i takimit, Xhaja, ka dalë për të inspektuar fushën bashkë me dy kapitenët e skuadrës dhe pasi kanë hedhur topin, kanë konstatuar se ishte e pamundur që të luhej në ato kushte, ndërkohë që reshjet vazhdonin të ishin prezent. Pas tyre ka dalë edhe delegati me vëzhguesin e takimit dhe më pas në një mbledhje që zyrtarët e ndeshjes kanë pasur me përfaqësuesit e klubeve është vendosur që 45 minutat e mbetura të takimit të luhen sot në orën 14:00 ku rrezikon sërish të ketë reshje shiu.
PJESA E PARË - Në një terren të rënduar nga shiu që nuk pushoi për asnjë minut, dy skuadrat u munduan të gjenin golin me të gjitha forcat, edhe pse një gjë e tillë ka qenë shumë e vështirë. Mbrojtësit kanë synuar vetëm të largojnë topat nga zonat e tyre, ndërkohë që sulmuesit kanë tentuar gjuajtjet nga larg. Nuk kanë munguar dhe gabimet në mbrojtje, kryesisht në kthimet e topave të portieri, por këto raste nuk janë shfrytëzuar siç duhet nga sulmuesit e dy ekipeve. Gjithsesi miqtë e drejtuar nga Mezani në minutën e 11- të do të lëshojnë sinjalin e parë në portën kundërshtare me një gjuajtje të Lushnjes që pritet pa problem nga portieri Nurkoviç. Vlonjatët kundërpërgjigjen me Bicajn, që me kokë, pas një krosimi të Hoxhajt në zonë, detyron portierin Selmani të bëjë mrekullinë dhe të grushtojë një top që po i drejtohej rrjetës. Minutat kalojnë dhe bashkë me to gjendja e fushës rëndohet edhe më shumë. Flamurtari kërkon me ngulm një gol dhe lë shumë hapësira pas, të cilat e ndëshkojnë. Fillimisht, në minutën e 23 Fangaj del përballë portierit Nurkoviç pasi ka një hutim të mbrojtjes vendase dhe gjuan fort, por "gardiani" tregohet i saktë dhe grushton duke shmangur një gol të sigurt. Ndërsa në minutën e 35 Nika del bukur në krah dhe kroson për Uzu-
nin, që në dyluftim me Siljanovskin rrëzohet. Arbitri Xhaja që ka një pamje të qartë të aksionit jep 11-metërsh, pavarësisht protestave të vendasve. Nga pika e bardhë, një minutë më pas Rexhinaldo nuk gabon dhe kalon ekipin e tij në avantazh.