Tomori “vret” derbin, Naftëtari dorëzohet pa kushte
Kuçovarët në krizë, rezistojnë vetëm një pjesë
Beratasit bëjnë "ligjin" në derbin e prefek turës. Tomori e ka shndërruar në një festë të vërtetë rikthimin në stadiumin e saj pas afro 10 muajsh duke mposhtur me rezultatin e pastër 3-0 Naftëtarin në një ndeshje, e cila nuk pati shumë histori, pasi vendësit kanë dominuar në pjesën më të madhe të ndeshjes, ndërsa në pjesën e parë ishin miqtë ata që rrezikuan.
PJESA E PARË -Loja ka nisur e vrullshme për të dyja skuadrat, të cilat vinin pas rezultateve jo të mira në javët e kaluara dhe medoemos do të kërkonin të merrnin maksimumin duke mos thelluar më tej krizën e rezultateve. Janë miqtë ata që rrezikojnë dhe japin sinjalin e parë të takimit në minutën e 6-të, teksa një devijim i bërë nga një prej lojtarëve të Tomorit ka sjellë edhe "drithërimat" e para në shkallët e stadiumit, ku topi është përplasur në shtyllën e jashtme. Në minutën e 20- të, Onuh ka gabuar në kontrollin e topit duke ia dorëzuar atë portierit Spahiu duke shpërdoruar një rast të artë. Në minutën e 28-të, mesfushori Myzyri godet fuqishëm nga një faull në afërsi të zonës, por Spahiu edhe njëherë tjetër pret pa problem. Në të 30-ën, beratasit pretendojnë për një prekje të topit me dorë, por nuk është i këtij mendimi kryesori i takimit. Miqtë e drejtuar nga Fraholli shpërdorojnë një rast të artë, ku Nallbani, i vetëm përballë Kalopshit pesë minuta nga fundi, nuk gjuan siç duhet.
PJESA E DYTË - Fraksioni i dytë i lojës ka nisur i qetë për të dyja skuadrat që mundoheshin të përfitonin nga gabimet e njëra- tjetrës. Me kalimin e minutave, skuadra
beratase është më kërkuese, teksa do të shënojë edhe golin e parë me anë të 20-vjeçarit Drabo në minutën e 58-të. Një krosim nga rivënia fundore është shfrytëzuar mjaft mirë nga i riu, i cili pa u menduar dy herë gjuan fort dhe mposht portierin Spahiu. Ky avantazh duket se i ka çliruar jashtëzakonisht beratasit, të cilët rritën agresivitetin dhe kërkuar dyfishimin e rezultatit. Në minutën e 67-të ka qenë i përhershmi Onuh, i cili pas një goditjeje të bukur me kokë e ka ndalur topin në rrjetë dhe 2-0. Drabo do të krijonte
një tjetër rast të shkëlqyer, teksa finalizimi mjaft potent nuk ka shërbyer për ta dërguar topin në rrjetë si pasojë e ndalesës që bëri shtylla e majtë pingule. Në minutën e 80-të, Onuh dërgon një top të bukur në këmbët e Sharavollit, teksa ky i
fundit godet dhe shënon, por goli është anuluar për pozicion jashtë loje sipas asistentit të dytë. Vetëm 4 minuta më vonë do të vinte edhe goli më i bukur i këtij takimi me anë të 18-vjeçarit Erald Hyseni. Goditja e tij ishte e fortë dhe potente me portën e mbrojtur
nga Spahiu, teksa topi është përplasur në rrjetë dhe më pas ka dal si rrjedhojë e një çarje që i është bërë. Drabo dhe Hyseni kanë spikatur në takimin e djeshëm duke arritur të shënojnë edhe golat e parë në këtë sezon me beratasit.