Mesi e mundi Realin e Madridit duke... ecur
Argjentinasi shëtiti në fushë, por i mjaftoi shumë pak për të vulosur triumfin katalanas
Një lojtar i madh di ta lexojë shumë mirë lojën dhe të vërë në përdorim armët e tij më të forta atëherë kur duhet për ta fituar një ndeshje futbolli. I tillë është Leo Mesi, i cili bëri një ndeshje të madhe në Madrid, pavarësisht se nuk e shpalosi të gjithë bagazhin dhe potencialin e tij. Gazeta "El Periodico" ka publikuar disa të dhëna interesante, në të cilat tregohet se argjentinasi i Barcelonës vrapoi shumë pak gjatë 90 minutave, por aq mjaftoi për të treguar klasin, madhështinë dhe për të vendosur fatin e një ndeshjeje. Ishte i vlefshëm me lëvizjen e tij në golin e parë të shënuar nga Barcelona sepse tërhoqi Kovaçiçin dhe i la hapësirë Rakitiçit të avanconte, shënoi me penallti dhe dha asistin për golin e tretë. Nga ana tjetër, rivali i tij më i madh, Kristiano Ronaldo, thjesht u përpoq të bënte diçka, por nuk ia doli.
TË DHËNAT- Mund të jesh i rëndësishëm në një ndeshje edhe pa vrapuar, por thjesht duke qenë në fushën e lojës. Por kjo ndodh vetëm atëherë kur pas shpinës mban mbiemrin Mesi. Numri dhjetë i katalanasve në 83.10% të ndeshjes thjesht eci në terrenin e "Santiago Bernabeu"-t. Ai e di shumë mirë
që është i privilegjuar dhe vendos vetë kur të bëjë presion te kundërshtari dhe kur jo. Shokët e skuadrës sakrifikohen për të dhe i mbyllin hapësirat shpeshherë ose mundohen ta gjejnë me pasime kudo që ai ndodhet. "Pleshti" kërkon të jetë gjithmonë i freskët dhe i palodhur sidomos në momentet e fundit të ndeshjes, kur skuadra duhet të sulmojë patjetër. Dhe pikërisht këtë bëri në Madrid. Argjentinasi shpenzoi 10.8% të kohës gjatë kësaj ndeshjeje duke kërkuar të gjente pozicionin ideal në fushë për të goditur kundërshtarin. Vetëm 4.95% të ndeshjes Mesi vrapoi dhe shpenzoi energji, ndërsa në 1.15% të saj ndezi motorët për të bërë sprint në gjysmëfushën kundërshtare. Mesi arriti shpejtësinë 33.6 kilometra në orë. Argjentinasi bashkë me portierin Ter Shtegen janë të vetmit lojtarë që i kanë luajtur të gjitha minutat deri në javën e 17-të të kampionatit spanjoll duke udhëhequr Barcelonën drejt triumfeve dhe fitoreve. Mesi ka shënuar 15 gola në këtë sezon në kampionat dhe ka dhënë 6 asiste duke udhëhequr listën në La Liga.