Çudira shqiptare, FSHF shtyn sërish kampionatin
Çudira shqiptare, java e 16-të spostohet për më 27 janar
Nisja e vonë e sezonit 20162017 bëri që në mbarim të vitit kalendarik të mos ketë përfunduar ende faza e dytë e kampionatit. Pra, ndonëse duhet nxituar me kohën që të startojë kampionati në kohë për të rikuperuar javët e mbetura, mësohet se do të ketë tjetër shtyrje të sezonit. Dje, FSHF-ja ka njoftuar se java e 16-të e Kategorisë Superiore është shtyrë që të luhet më 27 janar. SHTYRJA - Në faqen zyrtare të institucionit të futbollit dje është bërë me dije për shtyrjen e kalendarit dhe datën kur do të luhet java e parë e vitit 2018 për kampionatin elitar. "Me vendim qarkullues të Komitetit Ekzekutiv, java e 17-të e Kategorisë Superiore do të luhet në datën 27 janar 2018 dhe jo në datën 20 janar siç ishte parashikuar më parë. Sektori i Garave pranë FSHF-së ka bërë këtë propozim, i cili është miratuar me vendim qarkullues të Komitetit Ekzekutiv. Ndërkaq për këtë vendim do të vihen në dijeni të gjitha ekipet pjesëmarrëse në Kategorinë Superiore", ka shkruar institucioni i futbollit në vend në faqen zyrtare në internet. Burime të gazetës bëjnë me dije se kjo ka ardhur si pasojë e kërkesës së disa skuadrave.
KAOSI - Në fakt, një shtyrje e tillë, ngjesh akoma edhe më shumë kalendarin e ndeshjeve për skuadrat në vijim. Duke mos harruar edhe ndeshjet në Kupën e Shqipërisë, skuadrat do të duhet të luajnë thuajse çdo 3 apo 4 ditë një ndeshje, në mënyrë që kampionatet dhe garat sportive të përfundojnë në afatin e kërkuar nga UEFA, në muajin maj, përpara nisjes së shorteve dhe kompeticioneve kualifikuese europiane. Jo vetëm kaq, por diçka e tillë ndikon drejtpërdrejt edhe programet stërvitore të skuadrave të Superiores për periudhën dimërore të përgatitjeve. Pjesa dërrmuese e skuadrave të elitës së futbollit në vend kanë saktësuar udhëtimet për fazën përgatitore dhe datat për regjimin që do të ndjekin. Por shtyrja me një javë i bën që të rinisin edhe një herë llogaritë dhe prenotimet e resorteve për fazën përgatitore