Tare mbret i merkatos, Strakoshës i shumëfishohet vlera 248 herë
Shqiptari u ble 75 mijë , tani vlen 18.5 milionë
Skuadrat e mëdha e matin suksesin e tyre me trofe të fituar. Mirëpo, në fund, edhe për ta është kohë bilancesh financiare. Në momentin kur krahasohen shifrat, atëherë gjithçka është e kotë të diskutohet me fjalë. Të tilla janë të dhënat e punës së drejtorit sportiv të Lacios. Igli Tare, nga vetë mediat përtej Adriatikut, është konsideruar si një "mbret i merkatos së transferimeve".
ELOZHET - Është portali "tuttomercatoweb" që ka shkruar një artikull me të dhëna statistikore në lidhje me afrimet e bëra nga bardhekaltrit, për vetë çmimin fillestar që janë blerë dhe për atë aktual në merkaton e transferimeve. Ja dhe artikulli në adresë të shqiptarit. STRATEGJIA - "170 milionë euro! Kjo është shifra e fundit astronomike e raportuar në lidhje me një ofertë të mundshme të PSG për Sergej Milinkoviç Saviç. Mirëpo, qoftë edhe për shkak të 'fair play'-t financiar, duket thuajse e pamundur për t'u shpenzuar momentalisht një shifër e tillë. E sigurt është që, me iniciativën e drejtorit të Lacios, insistimin e tij për ta afruar në ekip, skuadra kryeqytetase ka në organikë një futbollist që po shkëlqen dhe që e ka shumëfishuar vlerën e kartonit të tij në treg. Mbase ai mund të jetë një nga shumë goditjet më të fuqishme të bëra nga drejtori Tare gjatë merkatos së transferimeve. Mes tyre, edhe portieri shqiptar, Strakosha", shkruhet për strategjinë e shqiptarit në krye të klubit italian. THOMAS STRAKOSHA
-
"Një bast katërçipërisht i fituar. Lacio, në vitin 2012, e bleu nga Panionios duke shpenzuar vetëm 75 mijë euro. Aktualisht, duket një shifër thuajse qesharake, duke parë rrugëtimin e portierit gjigant, në nivelin ku ka mbërritur brenda pak vitesh
dhe në një moshë fare të re. Pas një viti jo shumë entuziazmues te Salernitana, klubi roman i besoi atij një post si zëvendësin e Marketit. Strakosha ka arritur të zhvillojë paraqitje spektakolare, ku në koleksionin e tij zotëron edhe një pe- nallti ' finale' të pritur ndaj Dibalës, që ruajti fitoren 'in ekstremist' kundër Juves. Rezultati? Observatori Europian i të dhënave (CIES) e ka vlerësuar së fundmi gardianin shqiptar me vlerën e 18.6 milionë eurove. Një investim i zgjuar i Lacios, të cilin e rriti tek të rinjtë për të garantuar të ardhme më se të sigurt", është përshkrimi në rastin e afrimit të Strakoshës te Lacio dhe manovrës së bardhekaltërve në merkato. Në raport vlerash, shqiptarit i është rritur vlera e kartonit 248fish. Duke parë momentin që po kalon dhe faktin që është vetëm 22 vjeç, atëherë lëvizja e Lacios për ta blinduar deri më 2022shin ka qenë ideale, e cila do ta bëjë shumë herë më të lartë çmimin për një largim të mundshëm të portierit shqiptar... GODITJET - Emra si MilinkoviçSaviç, Strakosha, Luis Alberto, Felipe Anderson apo edhe Imobile, janë treguesi më i qartë i një punë të kuruar të drejtorit sportiv të bardhekaltërve, i cili, krahas rezultateve sportive në fushën e lojës, po i jep klubit edhe të ardhura të konsiderueshme për arkat e klubit si fitime.