Humels: Dua ta mbyll në një ekip të dorës së dytë
Mbrojtësi i skuadrës bavareze dhe kombëtares gjermane, Mats Humels, ka arritur të mbajë shiritin e kapitenit të kombëtares për herë të parë në ndeshjen e tij të 61-të përballë Anglisë. Kjo pasi numri një i portës, Manuel Nojer, ka vuajtur një dëmtim në shputën e këmbës. Në këtë mënyrë, ai ka qenë një prej stabilizatorëve të mbrojtjes së kombëtares gjermane. Ai madje ka luajtur edhe me këpucë të çara vetëm që të mos lërë në baltë skuadrën në momentet më të vështira duke u kthyer në një prej lojtarëve kyç të kombëtares së drejtuar nga trajneri Joakim Lëv. Cilësitë e tij janë parë në çdo sfidë që ai ka luajtur me fanellën e kampionëve të botës: mënyra e pozicionimit, sinkronizimi perfekt në goditjet e topit me kokë dhe duelet me kundërshtarët e kanë shquar Mats Humelsin si një prej lojtarëve më të mirë të kësaj kombëtareje. Gjatë një deklarate për golat me kokë, Humels ka thënë se: "Është bukur kur topi fluturon në ajër dhe gjithmonë shkon te koka ime". Humels ka nisur në skuadrën e të rinjve te Bajerni me qëllimin për t'u shndërruar në një sulmues të suksesshëm por parametrat truporë të tij nuk e favorizuan, çka solli që ai të kthehej në repartin e mbrojtjes. 29-vjeçari ka folur edhe mbi përfundimin e karrierës ku planifikon të luajë sërish futboll, por ka shprehur se nuk kërkon më të luajë për para ose për një jetë luksoze. Në deklaratën e tij, Humels tha: "Në ditët e sotme nuk rrezikoj më si më parë. Pasi të përfundoj karrierën si profesionist do doja të luaja për një ekip të dorës së dytë vetëm për të shijuar futbollin e pastër, larg luksit dhe parave".