Fino për financat: Shulku, gabime qesharake në mbrojtje të shefit
Pas përballjes televizive me presidentin aktual të FSHF-së, ku deputeti Bashkim Fino akuzoi institucionin e futbollit për shifrat e FSHF-së duke i cilësuar si abuzime, ka bërë dje një tjetër reagim me të njëjtën bazë të dhënash. Duke qenë se të shtunën pati një reagim zyrtar të Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku në lidhje me këto akuza, kandidati për kreun e institucionit të futbollit, Fino, ka reaguar në faqen e tij në rrjetin social "Facebook", duke e konsideruar si "manipulim për herë të dytë të opinionit publik". Ai sqaron në mënyrë të detajuar duke i cilësuar si abuzime veprimet financiare të institucionit të futbollit në vitet e fundit për disa çështje, si ajo e fluturimit me kompaninë ajrore etj. Ja edhe reagimi i plotë i kandidatit për kreun e FSHF-së, Bashkim Fino: "Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, tentoi të manipulojë për herë të dytë opinionin publik me shifrat dhe abuzimet e FSHFsë. Dëshira për të ndihmuar shefin, ndonjëherë të shtyn edhe në gabime qesharake. Por, për t'i treguar zotit Shulku, ashtu si dhe opinionit publik, shifrat e përmendura nga ana ime janë më se të vërteta. Aq më tepër, që sekretari i FSHF-së, lexoi diçka në letër, pa treguar asnjë faturë si provë... Shulku gënjen kur thotë se 60% të pagesave për kompaninë "VAS TOUR" ka qenë për organizimin dhe akomodimin e "EURO 2016". Për ta ditur sekretari i FSHF-së dhe opinion publik saktësisht janë si më poshtë:
* Janë paguar 373 milionë lekë (të vjetër) për periudhën janarmaj 2016.
* Janë paguar 170 milionë lekë (të vjetër) për muajin qershor 2016.
* Janë paguar 49 milionë lekë (të vjetër) për muajin korrik. * Janë paguar 392 milionë lekë (të vjetër) për periudhën gushtdhjetor 2016. (Pra, nuk ka lidhje 60% me Euro 2016). Për t'i shpjeguar më tepër, i ka paguar shoqërisë zvicerane 'KUONI' 75 milionë lekë në gusht dhe 96 milionë lekë në mars 2016, për akomodime (para dhe pas Europianit).
- Sa i përket deklaratës së buxhetit në vitin 2016 ka qenë 7.1 milionë euro, i kujtoj se të ardhurat gjithëpërfshirëse për vitin kalendarik 2016 janë 32 miliardë e 928 milionë e 590 mijë lekë (të vjetër) dhe shpenzimet janë 26 miliardë e 40 milionë e 65 mijë lekë (të vjetër) (të marra nga pasqyrat financiare të publikuara nga vetë FSHF)
- Për kompaninë 'Top Al', Shulku thjesht konfirmoi shifrën time, por nëse unë e thashë në Lekë, ai e konvertoi në Euro.
- Për shpenzimet e "Tropikal" nuk reagoi aspak. Duke qenë se nuk paska informacionin e duhur dhe duke qenë se ka qenë një mbrojtës në karrierën si futbollist, mendoj se sapo bëri një 'autogol' me shifrat. Gjithsesi, po i zbuloj edhe disa fatura të tjera milionere që Armand Duka ka shpenzuar për luks me paratë e klubeve të futbollit. Që vetë aktorët e futbollit, të kuptojnë sesi paratë që vijnë për ta, shkojnë për bileta, akomodime, apo edhe për dreka e darka:
- Në vitin 2015, kompania 'VAS TOUR' ka marrë plot 781 milionë lekë (të vjetër) për bileta avioni dhe akomodim (kujtoj që nuk ka pasur kampionat europian).
- Resorti 'Tropikal' ka marrë 172 milionë lekë (të vjetër). - Kompania 'PLUS' ka marrë 43 milionë lekë (të vjetër). - "Gustoso" ka marrë 52 milionë lekë (të vjetër) për dreka, në vetëm 4 fatura. Harem me paratë dhe djersën e klubeve që investojnë me sakrifica... Dosjet e abuzimeve janë hapur. Prisni të tjera...".