Panorama Sport (Albania)

Teuta pret kthesën, rikthehen katër titullarë

Durrsakët ia kanë marrë dorën Luftëtarit në këtë sezon

-

Edhe pse në fillim kërkohej fitorja, barazimi në Laç është pritur me pozitivite­t nga "djemtë e detit", të cilët tani ndodhen në vend të tetë në klasifikim me 17 pikë pas 18 ndeshjeve të para, 2 më shumë se Vllaznia e parafundit. Stafi teknik u shfaq i kënaqur me performanc­ën e lojtarëve, ndërsa tani kërkon nga ata rikthimin te fitorja në takimin kundër Luftëtarit në kuadër të fazës së tretë. Në këtë edicion, durrsakët kanë një bilanc tepër pozitiv me bluzinjtë. Nga katër fitore, që kanë regjistrua­r deri tani, dy i kanë vetëm kundër Luftëtarit. Në njëfarë mënyrë, gjirokastr­itët duket se janë "pre" e preferuar për "djemtë e detit". Një lajm i mirë për stafin teknik vjen nga infermieri­a. Në dispozicio­n të trajnerit Stavri Nica pritet të kthehet Esin Hakaj, Fabjan Beqja dhe Burhan Mustafov. Gjithashtu, edhe Anel Dediç, i cili ka qenë jashtë skuadrës për 20 ditë, do të bashkohet me grupin. Në javën e fundit, boshnjaku ka punuar individual­isht dhe për përballjen me Luftëtarin do të përgatitet me pjesën tjetër të ekipit. Pas dy barazimesh radhazi, Nica kërkon nga të tijtë fitoren e parë në kampionat nën drejtimin e tij, me bregdetarë­t që suksesin e fundit e kanë regjistrua­r në 19 nëntor të vitit të kaluar në "Niko Dovana" kundër Vllaznisë (1-0). 7 ndeshje pa fitore janë shumë për një skuadër që objektiv primar kishte katër vendet e para në klasifikim. Gjithsesi, tani situata

ka ndryshuar dhe të gjitha fuqitë do të përqendroh­en vetëm në kampionat, për të siguruar sa më parë mbijetesën. Një fitore kundër Luftëtarit do të kishte vlerë të dyfishtë, pasi përballë është një kundërshta­r direkt për mbijetesë. Jeton Rexhmati

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania