Raporti për Skënderbeun, nga politikanët, te bastet dhe... trajnerët
Raporti prej 93 faqesh i UEFA- s për Skënderbeun paraqet një hetim të thelluar mbi manipulimet e ndeshjeve në një hark kohor prej gjashtë vitesh (2010-2016). Që në faqet e para, raporti që "Panorama Sport" e disponon, tregon për qëllimin që kishte klubi shqiptar, si dhe për lidhjet mes futbollit, politikës e industrisë së basteve. Ky raport ka ngritur akuza të rënda jo thjesht ndaj Skënderbeut, por edhe për ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode. Ky i fundit akuzohet se ka kërcënuar një trajner, duke i kërkuar të humbasë ndeshjen. Akuza të forta ka për presidentin aktual, Ardjan Takaj, ish-presidentin Agim Zeqo, si dhe për një numër të madh lojtarësh e trajnerësh.
BODE DHE... BLANKO - Ish-ministri Ridvan Bode, i cili vijon të jetë një ndjekës i rregullt i Skënderbeut, i hodhi poshtë akuzat e ngritura nga inspektorët e Disiplinës në UEFA. I pyetur dje nga "BIRN", ai u shpreh: "Janë të njëjtat thashetheme të dy viteve më parë. Një qëndrim publik e kam mbajtur atëherë". Ish-trajneri i Dinamos, Luis Manuel Blanko, ka dëshmuar para inspektorëve, duke thënë se Bode i është drejtuar atij me këto fjalë: "Nëse ti na prish pushimet, unë do të të shkatërroj. Ai më kërkoi kur u ktheva për pjesën e dytë, skuadra jonë duhej të humbte. Unë nuk u besoja syve. Ishte e tmerrshme". Mirëpo, Bode e ka mohuar edhe këtë akuzë. "Kurrë nuk jam takuar apo biseduar për ndeshje apo rezultate me presidentë, trajnerë apo lojtarë të asnjë ekipi futbolli", ka thënë ai. Ridvan Bode raportohet se ka gjithashtu marrëdhënie të ngushta me klube të tjera në Shqipëri. "Ai është mik i mirë dhe donator kryesor i KS Shkumbinit, Dashnor Sula. Që të dy janë anëtarë të Partisë Demokratike", thuhet në raport. "Nuk vjen për surprizë që BFDS ka përshkallëzuar shumë ndeshje të Skënderbeut me një shkallë të lartë gjasash për manipulim ku përfshihen klube që kanë qenë ose nën presion nga z. Bode (Dinamo e Tiranës) ose të kontrolluar nga miqtë dhe kolegët e tij (KS Shkumbini). Kjo, bashkë me perceptimin tashmë famëkeq publik si fiksues ndeshjesh provon se ai është pjesë integrale e skemës së Skënderbeut", vijon më tej raporti. Ish-ministri i ka mohuar akuzat në mënyrë të prerë në një deklaratë të vitit 2016. "Nuk kam qenë asnjëherë financues, donator apo anëtar bordi në asnjë organizim sportiv në Shqipëri apo jashtë saj".
KLIKIMET NË "SBOBET" - Ajo që ka habitur inspektorët e Disiplinës është fakti se ka një fluks të pazakontë në një prej kompanive më të njohura të basteve që vepron në Azi, "SBObet". Sipas raportit të UEFA-s, zbulohet se vendi ynë është i vetmi në Europë mes 10 shteteve të para që klikojnë faqen e internetit të kësaj kompanie. Madje theksohet se epiqendra e klikimeve është pikërisht qyteti i Korçës. Në 33 nga 53 ndeshjet e dyshuara si të trukuara, UEFA ka identifikuar se "SBObet" ka qenë kompania e parë e basteve që lëvizte koeficientet rreth ndeshjeve të manipuluara. Kjo tregon se ata që kanë akses ndaj njohurisë dhe manipulimit, janë në gjendje të vendosin baste nëpërmjet SBObet. "Një kërkim i Google Trends mbi 'SBObet' tregon se si kjo kompani ka një prani shumë të madhe në Shqipëri, edhe pse është një kompani bastesh aziatike. Shqipëria është i vetmi shtet europian në listën e 10 vendeve që kërkuan për SBObet (vendet e tjera janë të gjithë aziatike). Një kërkim i vendeve ku përdoruesit kanë hyrë në faqen e internetit zyrtare të 'SBObet', vendos Shqipërinë si vendin e parë joaziatik në listë.
Një studim më specifik i qyteteve brenda Shqipërisë që kërkuan për 'SBObet' në Google tregon se Korça (e njohur si Korçë, ku gjendet skuadra e Skënderbeut) është me diferencë të ndjeshme vendi ku kanë origjinën shumë nga këto kërkime", citohet ndër të tjera në raport.
LIDHJET ME LOJTARËT - Raporti në tërësi akuzon një pjesë të lojtarëve, të trajnerëve dhe financuesve të Skënderbeut se kanë manipuluar së paku 53 ndeshje të kampionatit shqiptar. Nën akuzë janë disa lojtarë si Shehi, Jashanica, Radas, Arapi etj. Analizat statistikore dhe teknike i kanë nxjerrë si përgjegjës për fiksimin e rezultateve. Organi i UEFAs ofron si argumente mbështetëse faktin që skuadrat e futbollit në Shqipëri drejtohen ose janë të lidhura ngushtë me biznesmenë me aktivitet në fushën e basteve sportive, si dhe për faktin se presidentët e skuadrave të ndeshjeve të dyshuara si të manipuluara, janë gjithashtu të lidhur me njëri-tjetrin në biznes apo në politikë. Inspektorët pranojnë se provat që ata kanë mbledhur për manipulimin e ndeshjeve janë të gjitha rrethanore, ku mund të ketë shpjegime të sinqerta për të gjitha rastësitë. "Pamjet televizive të disa prej ndeshjeve të sinjalizuara nga BFDS tregojnë qartësisht se disa nga veprimet në fushën e lojës janë rezultat i manipulimeve të dukshme, me një mungesë respekti të thekuar kundër komunitetit të futbollit dhe parimeve bazë të sportit. Pjesa më e madhe e pamjeve televizive janë prova e një mbrojtje të keqe të qëllimshme", shkruhej në raportin 93 faqesh.