Shtrydhen në stërvitje, qejfmbetje te “demat”
Luftëtari, pas pushimit të së dielës, sot nis sërish punën për ndeshjen me Lushnjën. Ndërprerja e kampionatit është shfrytëzuar për marrjen e ngarkesës së duhur fizike nga lojtarët, por edhe për rikuperimin e të dëmtuarve. Megjithatë, drejtori teknik i Luftëtarit, Vangjel Çavo, ka një tjetër mendim për pauzat e kampionatit. Sipas tij, në periudhën e dimrit, pas fazës së dytë, ndërprerja e kampionatit është shumë e gjatë. Për “Panorama Sport”, fillimisht Çavo u shpreh: “Për mendimin tim, nisur edhe nga përvoja që kam fituar jashtë kampionatit shqiptar, më duket e tepërt periudha
e pushimit në dimër. Them kështu sepse përfundimi i garës brenda javës së parë të muajit maj e ngjesh kalendarin. Intensiteti i ndeshjeve dëmton skuadrat, lodhja është më e madhe, madje lojtarët kalojnë në stërmundim fizik. Për të qenë të sinqertë, lojtarët e nivelit të futbollit
shqiptar nuk e kanë staturën e duhur për të përballuar 3 ndeshje në javë”. Teksa duhet edhe një javë stërvitore për të mbyllur fazën e tertë, ku Luftëtari pret Lushnjën, në kampin gjirokastrit nuk mungojnë lajmet e mira. Infermieria është thuajse e boshatisur nga dëmtimet. Lojtarët me probleme, si Beqiri, Bregu, Xhekson, Rroca e ndonjë tjetër, priten të jenë të gatshëm për Lushnjën. “Çdo e mirë ka një të keqe dhe anasjelltas. E mira për ne është se dëmtimet e lojtarëve me peshë po shkojnë drejt rikuperimit të plotë. Ndaj, mendoj se nga ndërprerja e kampionatit fituam lojtarët e dëmtuar. Të gjithë janë të përqendruar te ndeshja e radhës. Lushnja është ekipi që na ka vendosur në vështirësi, si brenda dhe jashtë fushës sonë. E kemi vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje. Fitorja është objektivi i radhës”, përfundoi drejtori teknik i Luftëtarit, Vangjel Çavo.