Mbrojtje për turp, Kombëtarja U-21 shëtit në Sllovaki
Gafat në modë, tani “blindojmë” vendin e parafundit
Shqipëria pëson humbjen e dytë radhazi brenda katër ditëve ndaj Sllovakisë, me shtatë gola të pësuar në total, të shoqëruar me gafa pa fund në mbrojtje. Dje, në stadiumin e Zilinës, të besuarit e Alban Bushit u futën në fushë me idenë për t'u hakmarrë, por shumë shpejt treguan se janë lehtësisht të thyeshëm. Sllovakia shënoi katër gola, ndërsa sërish kapiteni Rey Manaj nuk mjaftoi. Sulmuesi ishte e vetmja anë pozitive e Kombëtares Shpresa në këto dy ndeshje për t'u harruar. Nëse në "Selman Stërmasi" të paktën ishim në lojë deri në fund, e kundërta ndodhi në ndeshjen e kthimit, ku nuk pati shumë histori, teksa sllovakët bënë çfarë deshën, edhe pse kuqezinjtë u munduan të qarkullonin topin dhe të ishin më agresivë para portës. Me nga dy gola për çdo pjesë, Sllovakia meritoi fitoren, ndërsa Manaj realizoi me një goditje befasuese nga jashtë zonës. I vetmi moment që mund të kthente fatin e ndeshjes ishte në minutën e 38- të, kur pas një driblimi Manaj u pengua në zonë, por gjyqtari uellsian nuk akordoi 11metërsh. Krahas trajneri Bushi nuk kishte në dispozicion as mesfushorin Endri Çekiçi, i cili nuk u riaftësua nga dëmtimi dhe për herë të parë si titullar e nisi shkodrani Eraldo Çinari. Nga ana tjetër, mungesa e Kejdi Bares u ndie jo pak, edhe pse Krymi dhe
Ndoji u munduan të organizonin lojën. SHPËRFYTYRIMI
Goli i parë i sllovakëve vjen pas një gafe të thuajse gjithë mbrojtësve, teksa nis që në krahun e majtë me Cekën, për të vazhduar me Tafën, Tolin dhe Malokun,
të cilët nuk ishin të pozicionuar mirë dhe Haraslin shënoi. Shqipëria mundohet të ekuilibrojë lojën, por e ka shumë të vështirë. Nuk kalojnë as 30 minuta dhe Bushi bën zëvendësimin e parë, duke larguar mbrojtësin e majtë, Ceka, për të hedhur në fushë Hakajn. Sllovakia na godet në limitin e pjesës së parë me Mraz, ku pas një rrëmuje në zonë dhe tentativave të njëpasnjëshme,
shënohet goli i dytë. Pas pushimit duket si e njëjta histori, me sllovakët që i afrohen golit të tretë, por shtylla këtë herë i vjen në ndihmë Kastratit pas goditjes së Mraz. Bushi largon nga fusha Kallakun për t'i dhënë për herë të parë minuta me U- 21 kosovarit Sahiti. Vetëm tre minuta më pas është Manaj që lëshon një predhë nga 23 metra dhe shkurton shifrat. Mirëpo, në
vend që supergoli i sulmuesit të shërbente si shtysë për të shkuar drejt barazimit, ndodh e kundërta. Pas një goditjeje dënimi është Siplak që i çon shifrat në 3-1, ndërsa më pas Mraz vulos fitoren, duke bërë qejf në qendër të mbrojtjes kuqezi. Në minutën e 82- të, Manaj ka një rast ideal për të shënuar golin e dytë personal, por përballë portierit Rodak bën më të vështirën.