Tronditet Tirana, Ngoo mbyll sezonin
Shtatlarti do kryejë ndërhyrje kirurgjikale dhe ka shumë pak shanse të rikthehet deri në maj
Tronditen bardhe blutë, Majkëll Ngoo mbyll sezonin para kohe. Vetëm dy ditë pasi u kthye nga Anglia (atje ku u bë protagonist për dënimin që mori nga gjykata për shpërndarje droge, ngjarje e ndodhur kjo në 2016-ën), sulmuesi ka pësuar një dëmtim që ka rezultuar fatal për atë vetë, por mbi të gjitha për Tiranën. Autori i 11 golave do të detyrohet që të futet në operacion. Stërvitja e së hënës edhe pse nisi mirë për shtatlartin, u mbyll si mos më keq. Një lëvizje e gabuar dhe e "la" gjuri. U detyrua që të linte me urgjencë fushën dhe fill pas kontrollit fillestar të mjekëve, u ndie frika. Diçka nuk po shkonte siç duhet. Megjithatë, pa bërë ekzaminimet e duhura askush nuk guxoi që të dilte në konkluzione. Direkt kreu rezonancën magnetike dhe vetëm dje mori përgjigjen. Dëmtimi në gju i kishte prekur meniskun dhe rrjedhimisht duhet të futet në sallë. Lajmin për ndërhyrjen kirurgjikale e dha vetë klubi, por duket se rreziku nuk është aq i vogël. Edhe pse Ze Maria në konferencë deklaroi dhe shpresoi që gjithçka të mbyllej në 20 ditë, kur dihet që deri në mbyllje të këtij kampionati kanë mbetur 6 ndeshje, shanset që të rikthehet janë minimale. Ngoo nuk mund të bëhet gati para se të
mbyllet sezoni, por sigurisht që shkëputja e gjatë, do kushtëzonte edhe Ze Marian që të mos e hidhte në fushë dhe mos rrezikonte. Mungesa e tij do ta penalizojë ndjeshëm Tiranën dhe sidomos kur dihet që ai ishte kthyer në një pikë referimi në majën e sulmit. Jo vetëm ka dërguar
11 herë topin në rrjetë, por dëshmoi gjatë këtyre muajve që kishte aftësi edhe në shërbim dhe jo më kot është "mbreti" i asisteve (me 7 të tilla). Në një kohë që kryeqytetasit po luftojnë që të mbyllin sa më shpejt "garën" për ngjitjen në elitë, dëmtimi i Ngoosë i gjen të papërgatitur
dhe sidomos në këtë fazë delikate që ka hyrë kampionati. Tashmë e gjitha pesha e ofensivës kthehet te Junus Sentamu, i cili për fatin e keq të Tiranës mungon ndaj Apolonisë dhe do të jetë nën urdhrat e Ze Marias vetëm në "finalen" me Bylisin, që luhet më 7 prill.