Kajoshi në 8-shen më të mirë europiane
Zeneli i dëmtuar në vetull e dorë, nuk ia del
Një sukses i padiskutueshëm i boksierit më të ri të ekipit kuqezi, Arjon Kajoshi, në Kampionati Europian për 22-vjeçarët. Ai ka triumfuar thellësisht ndaj suedezit Adam Shartoi 5-0. Kjo fitore e bukur e tij e ka kualifikuar boksierin tonë në tetë ekipet më të mira të Europës. Me shpresa të mëdha për të shkuar edhe më tej, sigurisht që zona finale (gjysmëfinalet dhe finalja), që të çon në fitimin e medaljeve është një ëndërr e tij. Shkodrani Arjon Kajoshi, pasi ka mundur një ditë më parë italianin, tashmë ka fituar edhe në ndeshjen e dytë, teksa mposhti në raundin e dytë suedezin Adam Shartoi, duke fituar me rezultatin 5-0. Ai ka konkurruar në peshën e mesme deri në 75 kilogramë. Ndërsa boksieri tjetër, Krenar Zeneli, nuk mundi të vazhdonte rrugëtimin për në zonën e medaljeve. Ai ka pasur një sërë problemesh prej dëmtimeve gjatë ndeshjes së parë. Boksieri çau vetullën dhe pati probleme në dorën e djathtë. Përpos mundimit të tij maksimal, nuk ia doli të mposhtte gjermanin Hamsat Shadalov. Në këtë mënyrë është shuar edhe një ëndërr e tij. Me sa duket, shkodrani Zeneli rrugëtimin gjatë këtij europiani nuk do të mund ta vazhdojë më tej. Edhe pse u mundua të bënte maksimumin ndaj gjermanit Hamsat Shadalov, nuk mundi t'ia dilte me fitore. Në këtë mënyrë dëshira e tij për ndonjë medalje ka marrë fund pas këtij dueli. I vetmi që synon, tashmë mbetet Arjon Kajoshi. Ai ka arritur të kualifikohej në tetë më të mirët e peshës së mesme deri në 75 kilogramë, ku në turin e dytë do të gjejë një boksier izraelit. Nëse Kajoshi do t'ia dalë mbanë, kjo fitore do ta dërgojë në zonën e finaleve, ku shpresohet edhe ndonjë medalje. Për 21vjeçarin shkodran edhe ky kualifikim është mjaft i rëndësishëm duke shkuar drejt një suksesi mjaft të madh në historinë e boksit shqiptar.