Shpërthen Bylis: Tomori mori 5 milionë nga Tirana
Klubi i Bylisit ka reaguar pas ndeshjes në Berat, jo thjesht për humbjen, por sipas tyre ka pasur dhunë dhe ajo ka qenë e stisur, madje dhe e programuar. Sipas Bylisit, tifozët dhe drejtuesit më lartë të klubit janë sjellë korrektë, ndërsa nuk ndodhur kështu nga stafi, kryesisht trajneri Gersi Arbëri dhe pjesa më e madhe e titullarëve. REAGIMI - "Na vjen keq që ndodhi ajo pritje barbare në Berat, e iniciuar nga trajneri Gersi Arbëri dhe disa lojtarë si: Çaco, Sharavolli, Bitri etj., të cilët që pa nisur ndeshja në tunel, kanë gjuajtur lojtarët tanë, madje duke i kërcënuar edhe arbitrat. Është turp, është një precedent që po bëhet normale me beratasit sepse dhunë kanë bërë edhe me Shënkollin dhe u detyruan që të venë me të rinj atje, por jemi të sigurt se këtu as nuk do të paraqiten sepse e kanë bërë baltë! Klubi dhe tifozët reaguan shumë mirë, ndërsa nuk e kuptojmë pse ndodhi ajo skenë vandale, ndoshta i ka gëzuar premio e Tiranës dhe bënin shou para presidentit të Tiranës, sepse ka fjalë që kanë marrë 5 milionë lekë premio. Ne kurrë nuk kemi qenë në garën për Superiore, madje e kemi realizuar synimin tonë. Nuk po justifikojmë humbjen, sepse kemi barazuar edhe në fushën tonë, dy herë me Pogradecin, me Apoloninë, por ajo që kanë bërë trajneri dhe lojtarët beratas ndaj nesh është turp dhe skandaloze. Madje, nuk denjojnë as të kërkojnë falje, por ne kemi siguruar edhe fakte, kur para ndeshjes Çaco e Bitri thonë se do t'i shkelim me këmbë. Lojtarët e Tomorit që u sollën si trima, kam përshtypjen se do e harrojnë Ballshin, sepse ka për t'i dalë në ëndërr", ka qenë reagimi i klubit ballshiot dje për median.