Rrumbullaku merr krahun: Kupë dhe vend i dytë, sezoni ideal për ne
Simon Rrumbullaku është kthyer në një prej lojtarëve stabël të Kukësit në krahun e majtë të mbrojtjes. Në një bisedë për "Panorama Sport", gjirokastriti ka treguar për momentin e mirë që po kalon skuadra, synimet, si dhe mbylljen ideale të këtij sezoni futbollistik. Një fitore me shumë rëndësi në Kamzë, e prisnit kaq të vështirë?
Ishte një fitore shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë. U bë një ndeshje e fortë, në kushte të vështira, por besoj se patëm fat që morëm tri pikët. Jemi të kënaqur që po na shpërblehet puna.
Cili është sekreti i kësaj vazhdimësie pozitive? Kemi pasur ndeshje të vështira që i kemi kaluar me sukses. Besojmë te vetja dhe duhet të vazhdojmë me këtë ritëm. Nuk besoj se ka sekrete, thjesht kemi një grup të fortë lojtarësh, me karakter. Kemi një trajner mjaft të aftë në të
gjitha aspektet, sidomos atë psikologjik.
Te Kukësi shënojnë të gjithë, mendoni se kjo është një armë plus?
Po, kjo është një anë pozitive për skuadrën. Te Kukësi mund të shënojnë të gjithë dhe kjo tregon se kemi një ekip me mjaft cilësi. Kur ka shpërndarje është në të mirë të ekipit, pavarësisht se ne kemi një sulmues si Guri apo dhe futbollistë të tjerë si Shkodra, Ebipi apo Balde që ndihmojnë sulmin. Kemi lojtar me karakter që mund të bëjnë gjithçka që të ndihmojnë skuadrën të arrijë rezultatin, duke filluar që nga ne mbrojtësit.
Si e parashikoni ndeshjen e radhës me Partizanin? Do të jetë një ndeshje e fortë, siç janë të gjitha në fakt, pasi kampionati është në një moment kyç, ku secili bën llogari. Partizani është në formë dhe këtë e tregojnë rezultatet që kanë marrë
së fundmi. Duhet të bëjnë maksimumin dhe të jemi shumë të përqendruar. Kam besim se do marrim më të mirën nga kjo sfidë.
Më pas prisni Laçin në shtëpi për Kupën...
Kupa është një histori tjetër. Kemi zhvilluar ndeshjen e parë, ndërsa tani kemi 90-minutëshin e dytë, në të cilin duhet të bëjmë çdo gjë mirë që të shkojmë në finale. E duam shumë Kupën sepse është një trofe shumë i rëndësishëm për imazhin e klubit.
Ju intrigon pjesëmarrja në Champions gjithnjë nëse dënimi i Skënderbeut lihet në fuqi?
Champions është kompeticioni më i madh dhe prestigjioz për klube dhe normalisht që është një nder për çdo lojtar nëse merr pjesë. Ne e provuam sezonin që shkoi, ku bëmë shumë mirë, por fati s'na deshi që të shkonim më tej. Tani, së pari duhet të blindojmë vendin e dytë, pastaj të luftojmë për të ecur sa më lart. Nëse marrim pjesë apo jo, është çështje që s'na përket neve. Cila do ishte mbyllja ideale e sezonit për Kukësin? Mbyllja ideale do ishte vendi i dytë dhe Kupa e Shqipërisë. I kemi mundësitë dhe do japim gjithçka t'i arrijmë. S.Sulozeqi