Besëlidhja nuk fal, kapiteni i Egnatias përfundon në spital
Mile ndrydh dorën, kërkon ndihmë të specializuar
Besëlidhja nuk ka falur në shtëpi, pasi ka arritur të fitojë në shifrat 2-1 ndaj Egnatias, pas një pjese të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura. Rezultati nuk ka asnjë rëndësi për të dyja skuadrat, pasi kanë siguruar mbijetesën. NDESHJA
Të parët që rrezikojnë janë miqtë me anë të Miles, i cili gjuan pas një krosimi në zonë, por nuk shënjestron si duhet dhe sfera shkon jashtë kuadratit. Kundërpërgjigjen lezhjanët me O. Kamara, por topi i goditur prej tij devijohet nga një prej mbrojtësve dhe përfundon jashtë. Futbollistët e Besëlidhjes ngulmojnë në kërkimin të golit të avantazhit, por pa arritur ta gjejnë. Pjesa e parë do të mbyllet pa gola, por një episod do të krijojë shqetësim te të gjithë lojtarët për disa minuta. Kapiteni i rrogozhinasve, Mile në minutën e 29-të, në një dyluftim me një nga lojtarët kundërshtarë rrëzohet keq dhe përndrydh dorën. Pas ndihmës që ka marrë nga stafi mjekësor i ekipit, ai është dërguar në spitalin e Lezhës për ndihmë më të specializuar. Duke u rikthyer te ndeshja, fraksioni i dytë ka nisur me gol për Besëlidhjen. Në aksionin e parë është mbrojtësi Ndreca, që pasi depërton në krahun e majtë në një pozicion të prirët me portën gjuan fort dhe mposht portierin Harremi. Por, përgjigja e miqve vjen pas dy minutash ku Ogbodike po nga e majta e sulmit rrogozhinas me një goditje të saktë, rikthen baraspeshën në fushë. Vendësit që hidhen në sulm në kërkim të avantazhit me anë të Ndrecës që në të 50-tën nuk ia del që të shënonte, ndonëse i kishte të gjitha mundësitë. Në të 65-tën ishte O. Kamara, i cili merr një pasim nga Frroku dhe përballë portës kundërshtare nuk e ka të vështirë të shënojë golin e fitores për ekipin e tij. DEKLARATA
Trajneri i Egnatias, Vladimir Gjoni, pas ndeshjes në një deklaratë për mediat u shpreh: "Më erdhi pak keq për këtë humbje, pasi ishim përgatitur. Tani po mendojmë për sezonin e ri pasi edhe Bashkia është e interesuar për të na mbështetur, kjo për të mundësuar ngjitjen në Superiore", ka thënë Gjoni.