Rekorde dhe bamirësi, një ‘brez i artë’ në Kavajë
Ja të rinjtë premtues që po i japin leksion ekipit të parë
dodh edhe kështu. Besa mbijetoi në Grupin e "PlayOut"-it duke shënuar rekordet negative në të gjithë historinë e vet. Për ironi të fatit, me një ndryshim 360 gradë paraqitet Besa U-17, një befasi me rekordet që ka vendosur. Ekipi i drejtuar nga trajneri Ilirjan Berati, kur duhen edhe 3 javë të mbyllet kampionati, ka siguruar titullin kampion në Grupin A në kuotën e 63 pikëve me diferencë prej 13 pikësh nga Flamurtari që mban vendin e dytë. Me një golaverazh gjithashtu mbresëlënës 61-17 me 20 fitore 3 barazime dhe vetëm një humbje. Një sukses ky plotësisht i merituar. Kujtojmë se Besa U-17 ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë të këtij sezoni. Disa ditë më parë, lojtarët e kësaj skuadre bënë një gjest bamirësie duke iu mundësuar një drekë dhe shumë dhurata të moshuarve në Shtëpinë e të Moshuarve në Kavajë.
PORTA DHE MBROJTJA SI "BUNKER" - Radiografia e 17-vjeçarëve nis nga porta, pasi ajo u shndërrua në kala që u morr shumë rrallë. Vetëm 17 gola të pësuar në 24 javë e dëshmojnë këtë, madje mbi 50% të këtyre golave janë dhurata të vetë Besës, pasi kishin shënuar 3, 4 apo 5 gola ndaj kundërshtarëve. Portieri 17-vjeçar, Ilir Dobjani, ishte ndër shtyllat e ekipit. Besa e ka fituar kështu gardianin e së ardhmes dhe krahas tij edhe talenti i ri Ali Patoshi dha kontributin e tij. Para Dobjanit qëndruan kolosët e mbrojtjes me dyshen Alesandro Kacbufi e Ermir Damarja. Dy gjigantët që shëmbëllenin me Ramos e Pike mbytën "çdo ëndërr" sulmi të kundërshtarëve. Në krah një "Roberto Karlos" si Redi Vogli, ende pa i mbushur 16 vjeç, i pakalueshëm dhe shumë i shpejtë edhe në daljet e shpeshta në sulm. Djathtas Arjan Lemeti, një "Kafu" i ri. Krahas tyre, kontribut jo të vogël në këtë sukses dhanë edhe Sajmir Gjeçi, Aleks Dhjari apo Ildi Hidri. Gjatë 24 takimeve, kjo prapavijë pësoi vetëm 17 gola duke pësuar vetëm 1 humbje.
MESFUSHA TRULLOSI KUNDËRSHTARËT - Në këtë repart ishin më të shumtë kontribuuesit, për shkak edhe të ndeshjeve të shumta në kampionat e Kupë. Dirigjentët Enes Daiu e Freki Meraj të mbështetur nga Murat Veliu, Dritan Murrizi dhe me radhë Besim Popa, Devi Madani, Fitim Reçi, Marvi Lilamani, Haxhi Rrushi dhe Ergi Culaj, kanë lënë shumë gjurmë. Natyrisht, mesfusha ishte "zemra" e Besës që dominoi çdo takim.
SULMI ME "VRASËS SERIALË" - Nuk ishte vetëm maja e ekipit, por edhe "vrasësi" i pamëshirshëm i gjithë kundërshtarëve. Nuk ka ekip që nuk ka provuar golat e Jeton Krasniqit, Flavio Meçes, Geri Selitës dhe kohët e fundit dhe të Frenki Merajt. Krahas tyre edhe Klajdi Hoxha, Andrea Lila sa herë u aktivizuan, dëshmuan se janë në rrugë të mbarë. Si askush në Shqipëri, Besa shënoi plot 61 gola ku pa dyshim Jeton Krasniqi mbetet "Kristiano Ronaldo" i Besës duke kryesuar listën e golashënuesve me plot 20 gola. Sulmuesit e vegjël kanë një mesatare të rrallë prej 2.8 gola për ndeshje.