Klop: Do kisha preferuar që Momo të flinte gjumë
Jyrgen Klop kërkon nga skuadra e tij që të ruajë përqendrimin për ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Brajtonit dhe të mos shpërqendrohet nga finalja e Champions-it kundër Realit. Liverpuli nuk fiton prej tri ndeshjesh në Premier Ligë, duhet të shmangë humbjen këtë të diel për të siguruar minimalisht vendin e katërt. "Duhet të jemi tërësisht të përqendruar për ndeshjen, do të jemi. Një ditë më parë isha në ceremoninë e çmimeve të klubit. Shumë njerëz më uruan fat për finalen e 26 majit. Dy apo tri vetë më uruan fat për të dielën. Është ndeshja e fundit e Premier Ligës dhe vendos shumë gjëra për ne. Brajtoni është një ekip i fortë dhe luan pa presion. Në futboll mund të ndodhë gjithçka". SALAH - Udhëtimi i Salahut nga Liverpuli drejt Londrës dhe anasjelltas për të tërhequr edhe çmimin e Lojtarit të Sezonit akorduar pak ditë më parë nga gazetarët, e ka shqetësuar trajnerin gjerman. "Do kisha preferuar që të kishte shkuar në shtëpi pas pune, ashtu siç ne të gjithë relaksohemi në kolltuk përpara një filmi apo flemë gjumë. Por, Momo i meriton të gjitha këtu. Ai është një shembull". ARNOLD - Garet Sauthgejt nuk e ka fshirë emrin e Xhek Uilsherit nga lista që do të marrë me vete në Botëror. Mesfushori i Arsenalit pritet të grumbullohet në listën provizore prej 35 futbollistësh që do të dorëzohet të hënën në FIFA, ndërsa trajneri i kombëtares angleze po mendon të thërrasë edhe mbrojtësin 19vjeçar të Liverpulit, Trent-Aleksander Arnold. Shpresat e Uilsherit për të shkuar në Rusi morën një goditje pas dëmtimit të tij në gju, që e detyruan të mungojë në miqësoret kundër Holandës dhe Italisë. Por, Sauthgejt e konsideron atë ende një lojtar të rëndësishëm për "Tre Luanët". Trajneri i kombëtares do ta shpallë listën e tij finale me 23 lojtarë ditën e mërkurë. "Unë jam një tifoz i Trent. Prandaj ai luan shpesh, por edhe se është i një niveli të lartë. Është përmirësuar shumë vitin e fundit, fizikisht sepse psikologjikisht nuk kishte nevojë. Nëse Sauthgejt do një mbrojtës të djathtë që luan edhe në pozicione të tjera, ai do ishte një zgjedhje e mirë. Ai është gati", përfundoi Klop.