Batha-Koliçi, projektohet rokada
Portieri nuk ka më vend te Kukësi dhe transferimi te "demat" është shumë afër
Merkato e verës pritet të jetë shumë e nxehtë për klubet e Superiores, që kërkojnë të përforcohen me lojtarë cilësorë si për ndeshjet e Europës, ashtu edhe për sezonin e ardhshëm. Por, një nga objektivat është edhe dobësimi i kundërshtarëve, duke u marrë disa prej lojtarëve kryesorë. Zërat e parë të merkatos kanë nisur të qarkullojnë, edhe pse ajo nuk është hapur zyrtarisht dhe ka ende dy javë nga mbyllja e sezonit. Partizani dhe Kukësi do të kenë një rivalitet mes tyre dhe një rokadë lojtarësh pritet të ndodhë mes dy skuadrave. MESFUSHORI Kapiteni i Partizanit dhe një prej lojtarëve më të rëndësishëm në formacion sezonet e fundit, Idriz Batha, nuk ka rinovuar ende kontratën që i mbaron në fund të sezonit. Ai nuk ka gjetur akordin financiar me drejtuesit, pasi ka kërkuar rritje page, gjë e cila nuk i është garantuar dhe kjo me shumë mundësi do të sjellë edhe ndërprerjen e bashkëpunimit mes palëve. Për 26-vjeçarin alternativë ka qenë edhe Flamurtari, por largimi prej aty i trajnerit Duro ka bërë që një pistë e tillë të bjerë. Dhe një situatë të tillë po e shfrytëzon Kukësi. Me Nexhipin në krye të merkatos, Batha do ta ketë më të lehtë që të gjejë rrugën e bashkëpunimit me presidentin Gjici, pasi drejtori sportiv i Kukësit ka qenë në një skuadër me kapitenin e kuq. Por, fjalën e fundit do ta thotë numri një i verilindorëve. Gjithmonë e më shumë po flitet për një takim të ndodhur javë më parë, ku Batha ka kërkuar rreth 20 mijë euro këst kontrate në momentin e firmës. Dhe tani që klubi ka arkëtuar disa mijëra euro nga shitja e Gurit, financat nuk do të jenë problem dhe nuk është çudi që me mbylljen e kampionatit
gjërat të bëhen zyrtare. PORTIERI
Por, ndërkohë që Kukësi merr Bathën, të kuqtë do të "rrëmbejnë" një futbollist të verilindorëve, që gjithashtu shkon me parametra zero. Fjala është për Enea Koliçin, portierin 32-vjeçar që ka bërë paraqitje
të mira me klubin, por ka humbur vendin e titullarit. Koliçi ishte në objektivat e Partizanit edhe në merkaton e janarit, por ishte nën kontratë me verilindorët. Në fund të sezonit ai del lojtar i lirë dhe nuk ka asnjë pengesë që të bashkohet me të kuqtë.