Dyshon për komplot, Halili: Do sqaroj gjithçka me Gjicin
Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka komentuar transferimin e Sindrit Gurit në kampionatin belg te skuadra e Ostendes. Kjo ishte goditja tjetër, por e madhe e klubit verilindor, pas shitjes së Elis Bakaj. Shifra e transferimit të sulmuesit ishte rreth 10 herë më e lartë se ajo e Bakajt, për shkak të moshës së re dhe të ardhmes së Gurit. Presidenti Gjici beson se Kukësi i tij tashmë është futur fuqishëm në treg. Në një prononcim për "SuperSport", kreu i verilindorëve ka folur dhe për një largim të një pjesëtari të stafit të ngushtë të tij. Ai ka konfirmuar edhe largimin e Naim Halilit, menaxherit të klubit. "Kemi bërë një transfertë të mirë me Gurin. I uroj shumë suksese kudo të shkojë, pa të do të jetë e vështirë. Dua t'ju them se do të kemi largime në stafin administrativ. Kemi pasur mangësi, dua të krijojmë një model si Skënderbeu. Është larguar Naim Halili. Menaxherët nuk i janë përgjigjur investimeve të mia. Kam qenë korrekt dhe nuk kam pasur rezultate. Janë marrë me gjëra që nuk u takonin. Pakult dhe Nexhipi janë çelësi i suksesit", ishin fjalët e Gjicit, ndërkohë që klubi verilindor ka dalë gjatë ditës së djeshme me një deklaratë për mediat ku bën zyrtare një lëvizje të tillë. "Klubi i Kukësit njofton se ka ndërprerë marrëdhëniet me ish-menaxherin e tij, z. Naim Halili. Kjo masë është marrë për shkak se z. Halili ka thyer disa herë rregulloren e brendshme dhe ato të funksionimit të klubit", lexohet në njoftimin e klubit.
REAGIMI - Menaxheri Naim Halili i kontaktuar nga "Panorama Sport", në lidhje me vendimin e klubit dhe çfarë ka ndodhur shprehet i habitur nga ky komunikim me mediat i kreut të klubit. "Nuk e kam idenë se çfarë ka ndodhur. Gjithë kjo më erdhi e papritur. Ndodhem jashtë Shqipërisë e sa të kthehem do sqaroj gjithçka", ishin fjalët e tij. Edhe pse nuk e shpreh, Halili i druhet një komploti brenda klubit ndaj tij, por gjithçka do zbardhet me rikthimin e tij në Shqipëri. Nuk është hera e parë që lajmërohet largimi i Halilit, pasi më parë krahu i djathtë i Gjicit ka pasur përplasje dhe ka debatuar ashpër me ish- trajnerin Milinkoviç, duke i kërkuar dorëheqjen dhe fajësuar atë për situatën e atëhershme në skuadër. Në fillim, presidenti Gjici i dha të drejtë trajnerit, por më pas riktheu Halilin dhe largoi Milinkoviçin. S.Sulozeqi