“Totenhemi më pëlqen, s'kemi 300 mln paund”
Pep Guardiola është zgjedhur si trajneri më i mirë i vitit në Premier Ligë. Pas triumfit me Sitin, numri një i "qytetarëve" rrëfen për "Sky Sport" momentet më të vështira të sezonit, rivalët më të fortë dhe planet e së ardhmes.
I VËSHTIRË- "Te Barcelona dhe te Bajerni i Mynihut tifozët presin gjithmonë që të fitosh, por te Siti nuk i dihet kurrë. Ne nuk kemi shumë histori si klub, ashtu siç kanë 5 apo 6 ekipe të tjera të forta në Angli. Kur shoh diferencën e pikëve që krijuam me kundërshtarët, mendoj se do të jetë e pamundur ta provojmë vitin tjetër. Ka shumë diferenca me Gjermaninë dhe Spanjën këtu në Angli. Është një nga titujt më të bukur". TOTENHEMI- "Që kur kam ardhur në Angli, kam shijuar mënyrën se si luan Totenhemi. E pëlqej shumë. Liverpuli është magjik gjithashtu. Unë kam vuajtur shumë ndaj Klopit në Gjermani, për mënyrën se si luan. Çelsi gjithashtu vitin e kaluar ishte i jashtëzakonshëm me skemën. Kur luajnë me 5 mbrojtës dhe mënyra se si lëvizin është e bukur. Mendoj se shumë skuadra kopjojnë Antonio Konten". MURINJO- "Sigurisht që Zhoze është gjithmonë një trajner fitues. Ekipet e tij janë shumë të forta dhe i admiroj për kualitetin që kanë dhe shprehin në fushën e lojës". BOTËRORI- "Ka shumë skuadra të forta si gjithmonë. Spanja është aty dhe e shoh favorite. Por, edhe Gjermania me Brazilin. Nëse, Mesi është në formë, sigurisht që edhe Argjentina". LEGJENDAT- "Është gjithmonë e vështirë kur largon lojtarë të rëndësishëm nga skuadra sepse futen edhe raportet njerëzore. Ata ishin këtu te Siti për shumë vite, por duhet të ndryshonin. Njerëzit më pyesin shpesh se si e largova Hartin, por ai është profesionist dhe e dinte çfarë kërkoja".
DE BRYJNE-SILVA- "Ata janë lojtarë të jashtëzakonshëm. Nuk mund të zgjedh asnjë mes tyre. Është sikur të zgjidhja mes Lahmit dhe Alveshit. Është e pamundur. Në atë pozicion ku luajnë ata do t'i krahasoja me dy legjendat Ksavi-Iniesta". PLANET- "Jaja Ture do të largohet dhe duhet ta zëvendësojmë me një tjetër. Ndoshta do të afrojmë një ose 2 lojtarë, jo më shumë. Nuk mund të shpenzojmë. Njerëzit mendojnë të kundërtën, por s'kemi para për të shpenzuar 300 mln paund çdo vit".