Do të drejtojë Apoloninë, Miho: Ende nuk kam firmosur
Kohët e fundit, Apolonia është kthyer disi në qendër të vëmendjes me trendin që po dëshmon, në lidhje me një sezon të ri më rezultativ se ai që përfundoi. Impakti i parë i ndryshimit është pankina, me kryetrajnerin e ri, të cilit i ka mbetur vetëm firma mbi kontratë si procedurë. Të tjerët, emrat që qarkullojnë, qoftë si futbollistë, qoftë edhe si organikë e stafit teknik, janë thjesht hamendësime. "Mund të ndodhë që ndonjë nga emrat e përfolur të bëhet pjesë e skuadrës sonë, por kjo s'do të thotë që ka gjë reale dhe konkrete gjer tani!" deklarojnë në mënyrë aksiomatike përfaqësues të klubit fierak, teksa nuk ka munguar një reagim po aq i prerë edhe i trajnerit "të pakurorëzuar" Marjol Miho: "Unë ende nuk kam marrë detyrën e trajnerit të Apolonisë dhe nuk mund të flasim as për emra lojtarësh e as për staf teknik. Në kohën e duhur gjithçka!" shprehet trajneri.
Situata - Gjithsesi, përtej asaj që shkruhet dhe deklarohet, fakti është që fierakët janë aktivë në projektet e tyre. Selektimi i organikës ka bërë që të studiojnë mirë mundësitë e tregut, në përputhje me kërkesat dhe objektivat e Apolonisë. Dhe bardhejeshilët kanë nevojë të ndërhyjnë ndjeshëm në plotësimin e kontingjentit të futbollistëve. Së pari, largimi i Hasfatisë duhet të plotësohet me një portier tjetër; krahu i majtë, pas largimit të Broshkës dhe Dimos, mbetet pika më nevralgjike, aq më tepër që dy lojtarët e sipërpërmendur kanë qenë të përvojës dhe me një eksperiencë shumëvjeçare tek Apolonia, ndaj dhe është vështirë të kompensohen me lojtarë si ata që u testuan në miqësoren e fundit me Albpetrolin. Po ashtu edhe sulmi është një repart delikat. Vetëm lojtarë të rinj kanë mbetur në ofensivën e Apolonisë, kësisoj edhe nevoja e përforcimeve në sulm është një tjetër problem që bën "me dhimbje koke" për fierakët, pasi më së paku do të synojnë të sigurojnë një lojtar goli, pavarësisht moshës. Bujar Rama