Bomba e gjirokastritëve, rikthejnë Bregun për Europën
Mesfushori nis sot stërvitjen, Luftëtari pret edhe Nazmi Gripshin
Nga lamtumira në muajin maj te rikthimi surprizues pa kaluar ende 30 ditë. Dejvi Bregu nuk bën dot pa Luftëtarin dhe nga sot do të rikthehet aty ku për tri sezone shkëlqeu dhe fitoi zemrat e tifozëve gjirokastritë. "Panorama Sport" zbuloi dje menjëherë pas hedhjes së shortit, fillimisht për lexuesit e portalit zyrtar të gazetës (panoramasport.al), se Luftëtari kishte arritur marrëveshjen për rikthimin e Bregut. Lajmi gjeti më pas konfirmimin e vetë klubit gjirokastrit, në një kohë që vlonjati tashmë është në pronësi të Skënderbeut. Megjithatë, presidentët Grigor Tavo dhe Ardjan Takaj, kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe menjëherë Bregu do të vihet në shërbim të trajnerit Millosh Kostiç. Afrimi i 22-vjeçarit e fuqizon së tepërmi Luftëtarin, në një kohë që shorti e ka vënë përballë letonezëve të Ventspils, që janë një skuadër e kalueshme. Kësisoj, nga përfundimi i sezonit 2017-2018, Luftëtari ka humbur vetëm Kristal Abazajn dhe njeh vetëm përforcime. Rikthimi befasues i Bregut qetëson stafin sa u përket krahëve të sulmit. Bashkë me serbin Milosavljev, vlonjati pritet të formojë dyshen e krahëve në mbështetje të sulmuesit Vasil Shkurtaj.
- Gazeta mëson ekskluzivisht se Luftëtari nuk do të ndalet me kaq, pasi pritet të afrojë edhe një tjetër lojtar krahu. Gjirokastritët pëlqejnë mesfushorin durrsak, Nazmi Gripshi, i cili është në pronësi të Skënderbeut. Sipas të gjitha gjasave, afrimi i tij mund të konkretizohet që sot. Megjithatë, në klub nuk konfirmojnë asgjë, duke mbajtur sekret goditjen e fundit. Nuk përjashtohet mundësia e afrimit të një tjetër futbollisti, por mundësitë janë që durrsaku, i cili është nën kontratë me Skënderbeun, t'i bashkohet Luftëtarit, duke qenë se ndeshjet në Europë janë një vitrinë e mirë.