Panorama Sport (Albania)

Hamilton dominon provat zyrtare të Çmimit të Madh të Francës

FORMULA 1/ Britaniku lë mbrapa Botasin, Fetel i treti

-

Ljuis Hamilton dominon në provat zyrtare të ditës së djeshme, të vlefshme për Çmimin e Madh të Francës. Britaniku arrin të marrë "pole position" në pistën Pol Riçard, pistë e cila rikthehet në garat e "Formula 1" pas plot 28 vitesh. Një rezultat shumë bindës nga piloti britanik që konfirmoi formën e mirë që shfaqi në provat e lira, duke dominuar edhe në ato zyrtare. Hamilton ishte më i shpejti në të tria sesionet ku regjistroi kohën 1'30"029. Kampioni në fuqi regjistron kështu "pole" për herë të 75-të në karrierë. Në vendin e dytë u rendit piloti tjetër i Mercedes, Valteri Botas, duke treguar qartë që makina gjermane ishte shumë më e shpejtë se makinat e tjera në pistën franceze. Vendi i tretë shkon për pilotin e Ferrarit, Sebastian Fetel e pas tij vijnë dy pilotët e Red Bull, Maks Vershtapen dhe Daniel Riçardo, që do të nisen respektivi­sht nga vendi i katërt dhe i pestë. Finlandezi i Ferrarit, Kimi Raikonen, nuk mundi të shkonte më shumë se vendi i gjashtë në provat zyrtare. Ndërsa, dhjetëshja e parë plotësohet me Karlos Sainz të Renault, Lëklerk të skuadrës Sauber dhe nga dyshja Magnusen, Groszho të skuderisë Has. Flet Hamilton - Pas paraqitjes së shkëlqyer që i siguroi "pole", në pistën franceze, kampioni i botës në fuqi duket shumë entuziast dhe shprehet kështu: "Kemi bërë një punë shumë të madhe si ekip, pasi kisha në dispozicio­n makinën që më nevojitej. Të tregohem i ndershëm, ishte një sesion provash i thjeshtë për mua. Në kualifikue­set e para veprova shumë mirë, gjithashtu dhe në të dytat. Ndërsa, në kualifikue­set e treta mund të kisha bërë pak më mirë, por gjithsesi jam shumë i kënaqur me rezultatin e arritur. Ferrari vazhdon të jetë shumë pranë, por sot ishte një ditë vërtet e bukur për ne", tha Hamilton

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania