Panorama Sport (Albania)

Pika e dobët mbetet mbrojtja, Lëv gaboi me Rudin, por jo me Ozilin

-

Kombëtarja e Gjermanisë fitoi ndeshjen e dytë të Grupit F mes drithërima­ve. Toni Kros ishte autori i golit të fitores në sekondat e fundit të shtesës. Trajneri Lëv, ashtu siç pritej, ndryshoi disa lojtarë nga ndeshja me Meksikën. Sami Khedira, Mesut Ozil, Patenhard u ulën në stol. Mats Humels mungoi pas një dëmtimi në qafë. Trajneri habiti të gjithë, kur në mesfushë kishte vendosur të lunte me Sebastian Rudi. Mesfushori nuk ka qenë një lojtar formacioni në sezonin që u mbyll në Bundesligë me Bajernin. Rojs e nisi lojën nga minuta e parë, duke u shkëmbyer me Drakslerin që u spostua në qendër. Në krahun e majtë Myler duhet të luante si sulmues i dytë dhe Kimish kishte si detyrë të kromonte në zonë.

Pika e dobët

Vazhdon të jetë mbrojtja, pika më e dobët për gjermanët, të cilët ashtu si ndaj Meksikës, vuajtën shumë në kundërsulm­et e kundërshta­rit. Suedezët, edhe pse jo aq të shpejtë në lëvizje si meksikanët, arritën të vinin në vështirësi mbrojtjen gjermane. Humles u la jashtë dhe në vend të tij luajti Rydiger, që në krahasim me shokun e tij të skuadrës Boateng zhvilloi një ndeshje më të mirë. Boateng rrezikoi shumë në minutën e 12-të kur shkaktoi faull në zonë që me ndihmën e "VAR" do të ishte një 11-metërsh i pastër. Nuk mjaftoi kjo dhe për 11 minuta (71' 82') ai u ndëshkua dy herë me karton të verdhë duke lënë skuadrën me 10 lojtarë. Tjetër zakon i vjetër që u përsërit nga ndeshja me meksikanët, ishte humbja e topit në mesfushë. Heroi Kros ishte fajtor në minutën e 32-të kur dha një pas gabim te kundërshta­ri, që më pas rezultoi fatal për gjermanët.

Mënyra e gabuar për të kërkuar golin

Me golin e pësuar presioni u rrit shumë te gjermanët që filluan të luanin me topa të gjatë drejt Vernerit për t'iu afruar më shumë portës kundërshta­re. Deri diku ia dolën, pasi goli i Rojsit në fillim të pjesës së dytë ishe kopja e shumë rasteve identike të skuadrës së Lëvit. Kundërshta­ri e kuptoi shpejt këtë lojë dhe në 20 minutat e fundit i neutralizo­i sulmet e gjermanëve, të cilët tentuan më pas me disa krosa pa adresë. Vetëm një rast u paraqit nga krosimet, ishte Gomez që godet saktë në brendësi të zonës, por portieri suedez bën mrekullinë. Myler dështoi të udhëhiqte skuadrën, ai qëndroi shumë larg zonës. Kimish nuk ishte ai lojtar që jemi mësuar te Bajerni, shumë pak depërtime në zonë dhe në fazën defensive ishte jashtë rolit.

Fundi i lumtur

Vetëm pak sekonda e ndanë skuadrën gjermane drejt një "tragjedie" kombëtare. 82 milionë tifozë gjermanë dhe më shumë ishin dëshmitarë të një ngjarjeje të pazakontë në historinë e tyre. Por, skuadra tregoi karakter, duke dominuar kundërshta­rin edhe me 10 lojtarë. Toni Kros mori përsipër një goditje që do të vendoste për fatin e skuadrës. Merita i takon atij, pasi zgjodhi të gjuante në portë, pasi në zonë ishin vetëm katër lojtarë gjermanë kundër 8 suedezëve. Pra, shanset që topi të shkonte te njëri prej lojtarëve ishte më pak se gjysma. Ëndrra për gjermanët vazhdon në qiellin rus.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania