Luftëtari “peshkon” të rinj, klubi bën gati edhe dy firma
Eraldo Hyseni dhe Donaldo Açka, dy zbulimet e fundit të bluzinjve
Luftëtari mbylli dje ditën e dytë të përgatitjeve në Slloveni, teksa është grumbulluar në resortin "Toplice", që ndodhet në fshatin piktoresk, Catez. Bluzinjtë do të qëndrojnë deri më 5 korrik në tokën sllovene, teksa në kushte perfekte do të përgatisin ndeshjen e parë për Ligën e Europës, që do të zhvillohet më 12 korrik ndaj Ventspils në Letoni. Për të harmonizuar grupin e lojtarëve pas hyrje-daljeve në merkato, stafi teknik me në krye Millosh Kostiç ka shtuar intensitetin e punës, duke praktikuar dy seanca në ditë. Njëkohësisht me përgatitjet, klubi po punon edhe për merkaton. Vetë presidenti Grigor Tavo deklaroi për "Panorama Sport" se pritet edhe një tjetër goditje. Gjithsesi, aktualisht me skuadrën janë duke u stërvitur 23 lojtarë, përfshi këtu edhe mesfushorin shkodran, Erjon Vucaj. Ky i fundit, menjëherë sapo të marrë lejekalimin nga Vllaznia, do të firmosë zyrtarisht me Luftëtarin. Ndërkohë, edhe mesfushori i ardhur nga Kukësi, Maldin Ymeraj, mund të quhet lojtar i Luftëtarit, teksa burime në klub tregojnë se nënshkrimi me të është formalitet.
TË RINJTË - Pas zyrtarizimit të marrëveshjes me 18- vjeçarin beratas, Aldrit Oshafi, edhe dy lojtarë të tjerë të rinj janë drejt firmës me Luftëtarin. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Donaldo Açka, i cili luan edhe si mesfushor shkatërrues. 20vjeçari vjen pas aktivizimit në Greqi në Ligën e Dytë me ekipin, AE Karaiskakis. Luftëtari do të zhvillojë katër miqësore në Slloveni, teksa e para do të luhet ndaj maqedonasve të Rabotniçkit të mërkurën në kompleksin sportiv të Brezices. Më pas të besuarit e Millosh Kostiç do të luajnë më 30 qershor ndaj sllovenëve të Aluminij. Axhenda vijon me një tjetër test më 2 korrik ndaj rumunëve të Voluntarit, për ta mbyllur më pas më 4 korrik kundër sllovenëve të NK Krsko. Ekipi do të rikthehet në Gjirokastër më 5 korrik për t'u dhënë dorën e fundit përgatitjeve.
Ndërsa i radhës që pritet të nënshkruajë është 18-vjeçari Erald Hyseni, i cili spikati me Tomorin në sezonin e kaluar. Mesfushori me tipare sulmuese do të firmosë një kontratë 3-vjeçare me opsion rinovimi. "Jam shumë i lumtur që arrita të bëhem pjesë e Luftëtarit. Ky klub më pëlqen shumë për mënyrën sesi menaxhon lojtarët e rinj. Luftëtari është ngritur shumë në këto vite të fundit, duke treguar qartë objektivat që ka dhe ambiciet për Europën. Drejtuesit kanë besim tek unë dhe prandaj më morën. Tani do të më duhet të punoj fort dhe pse jo të ndjek gjurmët e Bregut e Abazajt. Më duhet të falënderoj edhe drejtuesit e Tomorit, të cilët më kanë mbështetur dhe nuk janë bërë pengesë për transferimin tim në Gjirokastër", deklaroi Hyseni për "Panorama Sport".
Tomor Shehu