Panorama Sport (Albania)

Anglia ka gati Dele Alin, Kolumbia i përgjigjet me Hamesin

Yjet premtojnë shkëndija në duelin e së martës

-

Dele Ali është gati për të luajtur për Anglinë në ndeshjen e 1/8ave kundër Kolumbisë të martën. Mesfushori i Totenhemit, i cili pësoi një tërheqje muskulore në kofshë në ndeshjen e parë kundër Tunizisë, u kursye nga Sauthgejt në dy ndeshjet e radhës në grup, kundër Panamasë dhe Belgjikës. Por, 22-vjeçari është stërvitur gjatë gjithë javës së fundit dhe në konferencë­n e fundit për shtyp të "Tre Luanëve", kur u pyet nëse do të jetë gati për Kolumbinë, ai tha: "Po, sigurisht. Pas dëmtimit u mërzita pak. Por kam punuar shumë dhe jam gati të luaj". Ai mbrojti edhe vendimin e trajnerit për të bërë 8 ndryshime në formacioni­n titullar kundër Belgjikës, pavarësish­t kritikave se kështu rrezikon të humbasë ritmin e skuadrës. "Së pari unë dua ta bëj të qartë se e gjithë skuadra është ekip i parë. Jemi të gjithë në këtë së bashku dhe si lojtarë ne mbështesim vendimet e trajnerit. Kemi ardhur këtu me një skuadër të madhe dhe të gjithë luftojnë për të luajtur. Ata që ishin në fushë e bënë shumë mirë. Nuk mendoj se humbëm formën. Tani është e rëndësishm­e që të reagojmë pozitivish­t pas humbjes. Duam të fitojmë çdo ndeshje. Kolumbia është një skuadër e mirë, por e tillë jemi edhe ne dhe kemi punuar fort". Hames - Lajme të mira edhe nga kampi i Kolumbisë. Hames Rodrigez, i cili braktisi fushën pas gjysmë ore lojë në ndeshjen e fundit të grupit kundër Senegalit pas një tërheqjeje muskulore në kofshë, dje mori përgjigjen e skanerit, e cila ishte pozitive (vetëm lodhje muskulore) dhe ai pritet të mos mungojë ndaj Anglisë. Megjithatë, ylli i Bajernit dje mungoi përsëri në stërvitje.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania