Juvja rrit ofertën në 120 milionë, Kristiano pritet të martën
Vijon "telenovela", portugezi gjithmonë e më pranë
"Telenovela" e transferimit të Kristiano Ronaldos te Juventusi ka rënë, momentalisht, në pritje. Më shumë se një frenim, është një çështje detajesh. Florentino Perez, siç raportojnë mediat spanjolle, nuk dëshiron të kujtohet si presidenti që zboi nga Reali i Madridit CR7-ën, ndaj ka kërkuar që vetë "ylli" portugez të dalë hapur, si Ksabi Alonso në 2014ën ( kur mesfushori kaloi në radhët e Bajernit të Mynihut). Për të fituar kohë, numri një madrilen ka kërkuar një mbledhje administrative të Realit brenda orëve të ardhshme, për të rënë dakord mbi strategjitë afatgjata të klubit. Nga tifozët dhe nga drejtuesit
e tjerë është shfaqur një kërkesë: fillimisht të gjendet zëvendësuesi i CR7-ës e më pas të arrihet marrëveshja me Juven. Emrat, siç dihet, janë gjithmonë të njëjtët: Kejn, Nejmar e Mbape. Me secilin, siç gjithashtu dihet, është gjithmonë e vështirë të nisen bisedimet me klubet respektive.
SHIFRAT - Një tjetër pikë për t'u qartësuar përpara firmës është çmimi që do i jepet kartonit të lojtarit. Shkrimi privat ekzistues mes Realit të Madridit dhe Kristiano Ronaldos (100 milionë euro), në fakt, nuk do kishte vlerë përpara drejtësisë sportive, ndaj në çdo rast vlera e kartonit të Ronaldos
do kalojë nga një akord mes madrilenëve dhe bardhezinjve. Edhe në këtë rast, sipas lajmeve nga shtypi iberik, Perez dëshiron të modifikojë çmimin e "fiksuar" pas kuintave, pra 100 milionët. Shifra mund të rritet në 120 ose edhe në 150 milionë euro. AVANTAZHE FISKALE - Çka dihet, ndërkaq, është që Juventusi ka vendosur në pjatë diçka joshëse për CR7-ën: bëhet fjalë për normativën e re fiskale të përfshirë nga Ligji i Stabilitetit në vitin 2017 e që u lejon personave që transferohen në Itali, të kërkojnë ndërrimin e regjimit për fitimet e ardhura nga jashtë (që në rastin e CR7-ës, i cili ka kontrata sponsorizimi prej dhjetëra miliona eurosh, bien në sy). Praktikisht, Ronaldo do paguante një aforfe prej 100 mijë eurosh vjetore mbi përfitimet ekstra-italiane (shifra që, megjithatë, nuk do i përkiste pagës së përfituar te Juventusi).