Bind Tirana, Blazhevski dhe Hasani super
Mjaftojnë dy kryevepra, sinjale pozitive nga ganezët
Tirana e nis me vrull. Bardheblutë kaluan me sukses provën e parë me Apoloninë, duke e mposhtur me shifrat 2-0. Në sytë e 1000 tifozëve, kryeqytetasit dëshmuan në "Selman Stërmasi" se janë në rrugën e duhur për të pretenduar titullin. Edhe pse pjesa e parë ishte disi e vakët, e dyta u zgjidh me dy kryevepra. Sikur të mos mjaftonte roveshata e Blazhevskit, "vulën" e vendosi perla e Hasanit nga 18 metra distancë. Bindën edhe dy ganezët, Kobina e Atinga, por pas nuk mbeten as lojtarët që mbyllën sezonin. Dhurata më e mirë për Ze Marian në këtë 45vjetor, ishte fakti që blerjet e reja dëshmuan cilësi.
Pjesa e parë - Loja nis me Tiranën në sulm. Kobina magjeps të pranishmit me disa veprime spektakolare në krahun e djathtë të sulmit, e megjithatë ekipi hasi vështirësi në ndërtimin e aksioneve të pastra dhe rrjedhimisht finalizimin. Apolonia e Mihos ishte e vendosur mirë prapa dhe mundohej që të bënte diçka me kundërsulmet dhe rastet në distancë. U mundua Daja, Karabeci dhe Blazhevski, por më kot. Rasti më i pastër erdhi në të 28-ën minutë, Imami shërben nga e majta në të djathtë për Kobinën, ky i fundit në tentativë për të goditur portën, gjen kokën e Grecës, që mundohet të shënojë, por nuk kishte shënjestrën e duhur. Pjesa e mbetur e kësaj pjese nuk prodhoi asgjë, ndaj u mbyll me rrjeta
të paprekura.
Pjesa e dytë - Ndeshja rinis me ndryshime, Ze Maria nxjerr Dokën dhe fut Kërçikun në krahun e djathtë dhe ky i fundit ia përligj besimin në të 55- ën. Pasi merr krahun, mjeshtërisht kroson një top te Blazhevski, i cili i ndodhur në
pozicion me roveshatë zhbllokon shifrat. Bardheblutë ushtrojnë presing, por as Apolonia nuk mbetet pas. Në të 65ën Hysenshahaj mundohet me një goditje në distancë, por reagon në kohë portieri Abibi, i futur 5 minuta më herët në fushë. Loja përqendrohet në
mesfushë, por me miqtë që mundohen të tregojnë veten hera-herës. E megjithatë, kur vjen e 84-ta, Edon Hasani shtang stadiumin me një gjuajte perfekte në kufijtë e zonës. Pasi stopon topin, e dërgon atë në trekëndësh. As 60 sekonda dhe Hasani bën sërish protagonistin,
këtë herë asiston për Grecën, por gjuajtja e tij kontrollohet nga portieri. Minutat e mbetura shoqërohen vetëm me ndërrime dhe asgjë më shumë. Bardheblutë sigurojnë fitoren e parë për këtë fazë përgatitore ndaj një kundërshtari që e kishin edhe në inferiore.