Kaos në Shkodër, klane për stolin e Vllaznisë
Zvarritet çështja për kreun e pankinës, akordi me Hasan Likën krijon përçarje
Klubi publikon kandidatët për trajner dhe drejtor, mes tyre edhe një turk
Kaosi te Vllaznia vazhdon. Edhe pse na ndajnë vetëm një muaj nga starti i kampionatit, në Shkodër janë shumë vonë për sa u përket përgatitjeve. Pak ditë më parë u zyrtarizua administratori i ri, Suad Lici, ndërsa ende nuk është vendosur për emrin e trajnerit që do të drejtojë ekipin në Kategorinë e Parë. Gazeta "Panorama Sport" zbuloi pak ditë më parë prapaskenën në lidhje me emrin e trajnerit të ri të Vllaznisë. Hasan Lika ishte i përzgjedhuri i shkodranëve, ndërsa kishte folur edhe me Licin, i cili në atë kohë ende nuk ishte zyrtarizuar në postin e administratorit. Publikimi i lajmit dhe konfirmimi që erdhi një ditë më pas nga vetë tekniku kryeqytetas, duket se ka krijuar përçarje në Shkodër. Vendësit këmbëngulin që trajneri i ri të jetë shkodran, ndërsa presioni është i madh çdo ditë. Këshilltarët bashkiakë, specialistët dhe tifozët nuk e kanë pritur mirë emrin e Likës, ndërsa janë të bindur se duhet një vendës. E gjithë kjo çështje ka prodhuar këtë situatë ku në Shkodër janë të pavendosur për të zyrtarizuar emrin e teknikut të ri të skuadrës. Lici së bashku me drejtuesit e tjerë janë në dilemë, ndërsa për të ulur disi irritimin e vendësve, "shpikën" edhe dorëzimin e CV- ve nga trajnerët që dëshironin të merrnin drejtimin e skuadrës.
LIKA - I kontaktuar dje nga gazeta "Panorama Sport", në lidhje me këtë çështje, Hasan Lika u shpreh: "Unë e kam shprehur gatishmërinë time për të drejtuar Vllazninë. Për momentin jam në pritje. Nuk e di se çfarë po ndodh, pasi nuk kam folur kohët e fundit me drejtuesit e klubit. Kam biseduar në fillim dhe tani jam në pritje", u
përgjigj fillimisht Lika. I pyetur se pse po vonon zyrtarizimi, tekniku tha: "Nuk di të them, ndoshta ende nuk i kanë përfunduar çështjet e tyre. Jam në pritje të zhvillimeve". Pritet që këto ditë të vendoset përfundimisht në lidhje me emrin e trajnerit
të ri të Vllaznisë. Dihet tashmë që objektivi i teknikut do të jetë rikthimi i skuadrës në Superiore. Pasi klubi të zyrtarizojë trajnerin e ri, do të nisë menjëherë puna me grumbullimin e skuadrës dhe nisjen e fazës përgatitore.