Adrenalinë për “derbin”, Meto premton gol dhe fitore
Ka filluar numërimi mbrapsht për kryendeshjen e javës V të grupit B të Kategorisë I, përballja Apolonia-Lushnja, dhe situata nga të dyja kampet rreh drejt adrenalinës dhe optimizmit për fitore. Në zhargonin sportiv, kjo ndeshje quhet “derbi myzeqar” dhe luhet mes dy ekipeve, që gjithmonë janë treguar rivale të denja me njëra-tjetrën, përgjithësisht korrekte dhe me luftë të ndershme si në “Roza Haxhiu”, po aq edhe në “Loni Papuçiu”. Emocionet e ndeshjeve mes këtyre dy skuadrave na sjellin nga “almanaku” i futbollit edhe fakte të tilla: kulmi i këtyre dy ekipeve ka qenë finalja e Kupës së Shqipërisë më 1998, fituar 1-0 nga Apolonia, me gol të Romeo Haxhiajt; ndërsa në Fier, Lushnja është rikthyer te fitorja pas thuajse 44 vjet e gjysmë: e parafundit fitore - më 17 shtator 1972: Apolonia - Traktori (Lushnja sot) 0-1 dhe e fundit më 25 shkurt 2017: Apolonia - Lushnja 0-2.
Meto
Është futbollisti më me përvojë tek Apolonia aktuale, i vetmi me statusin e “ish”-it të Lushnjës, fiks sezonin e kaluar në Superligë. Mesfushorit fierak i ka munguar prej vitesh ky derbi kaq luftarak e interesant, madje ndeshja e fundit që Meto ka luajtur në kësi përballje daton më 16 prill 2011, teksa Apolonia e tij fitonte 2-1 në transfertën e “Roza Haxhiut” dhe autorët e golave për bardhejeshilët kanë qenë pikërisht Meto dhe nigeriani Çarls. “Ka qenë një periudhë me mbresa koha që luajta në Lushnjë. Ndeshja e radhës është takimi i duhur në të gjitha aspektet, mendoj unë: për tifozët tanë e të Lushnjës, për opinionin sportiv, për gjithçka. Por, ne shohim ecurinë tonë dhe duam vazhdimësinë. Jam në qytetin tim, te skuadra ime, mos harroni dhe jam në këtë ndeshje për të qenë sërish fitues”, tha Meto. Bujar Rama