Tirana fiton thellë në derbin ndaj Studentit
Dje në kryeqytet u zhvillua derbi ndërmjet Studentit dhe Shoqatës Klubi i Basketbollit Tirana, ndeshje e vlefshme për javën e dytë të Kampionatit Kombëtar të basketbollit të femrave. Një sfidë që nuk pati shumë histori, pasi Tirana tregoi një nivel shumë më të lartë se Studenti dhe konfirmoi që do të jetë një ndër skuadrat pretendente për fitimin e titullit kampion. Ndeshja filloi me rivalitet të lartë dhe perioda e parë ishte shumë e ekuilibruar dhe të dyja skuadrat i kundërpërgjigjen njëra-tjetrës. Në fund janë bardheblutë ato që fitojnë ngushtësisht në këtë periodë me shifrat 23-25. Në periodën Tirana me kapitenen Eliverta Bujari dhe dy malazezet Popoviç dhe Milovanoviç kanë një marsh më tepër në lojë dhe nisin të dominojnë në lojë, duke e mbyllur këtë periodë me rezultatin 21-7, ku të dyja ekipet shkojnë në pushimin ndërmjet dy pjesëve me rezultatin 46-30 në favor të Tiranës. Pjesa e dytë e takimit nuk ndryshon aspak, pasi janë sërish vajzat e drejtuara nga Erdal Borova, ato që dominojnë totalisht në lojë, duke fituar 28-19 në periodën e tretë dhe 25-11 në periodën e katërt. Kështu e gjithë sfida mbyllet me triumfin 99-60 për Tiranën. Flet kapitenia Bujari - Pas përfundimit të ndeshjes njëra prej lojtareve më të mira të Tiranës, kapitenia Eliverta Bujari, u shpreh kështu: "Jemi një grup lojtaresh që kemi kohë që luajmë bashkë dhe e njohim shumë mirë lojën e njëra-tjetrës. Lojtaret e huaja po bëjnë vite që aktivizohen në radhët e skuadrës sonë dhe mendoj që me ndonjë përforcim që mund të bëjmë në merkaton e janarit, do të jemi pretendentet kryesore për fitimin e kampionatit", tha kapitenia.