Goga leksion Tiranës, thyhet edhe Flamurtari

Bardheblutë regjistrojnë humbjen e parë në sezonin e ri

Panorama Sport (Albania) - - FAQE 1 - ROLAND GJINI

Debutuesit e Goga Basket shkatërru an kampionët në fuqi të Tiranës duke i mposhtur ata me rezultatin e thellë 102-75, në ndeshjen e zhvilluar dje në sallën sportive "Dhimitraq Goga" të vlefshme për javën e dytë të Superligës së basketbollit. Ndeshja u dominua e gjitha nga skuadra durrsake, e cila i fitoi të gjitha u tregua më e saktë në të katërta periodat e takimit. Bardheblutë, të cilët vijnë në këtë sezon mes shumë vështirësive financiare, nuk mundën dot t'i bënin ballë skuadrës vendëse. Shima, i cili realizoi 27 pikë në këtë sfidë duke qenë edhe lojtari më rezultativ i ndeshjes, nuk ia doli dot t'i japë suksesin ekipit të tij. Largimet e shumta e kanë dobësuar skuadrën kryeqytetase dhe kjo u pa që në ndeshjen e parë ndaj Kamzës ku arritën të fitonin me shumë vështirësi, ndërkohë që në ndeshjen e djeshme ndaj skuadrës durrsake, Tirana u duk e pafuqishme për t'i bërë ballë Gogës. Loja nisi menjëherë në favor të vendësve që krijuan një avantazh prej dhjetë pikësh duke e mbyllur periodën e parë me shifrat 24-14. Në periodën e dytë është sërish Goga që luan më mirë dhe fiton 25-21 duke shkuar në pushimin ndërmjet dy pjesëve me epërsinë 49-35. As perioda e tretë nuk sjell ndryshim në lojën e bardhebluve kryeqytetas që e kanë shumë të vështirë të shprehin lojën e tyre, ku sërish vendësit e thellojnë rezultatin duke shkuar në pushimin e fraksionit të tretë me avantazhin 81-56. Në periodën e fundit të ndeshjes, Goga tenton më shumë ta menaxhojë diferencën e konsiderueshme të pikëve dhe e gjithë sfida përfundon me fitoren vendësve 102-75. Tashmë, Goga Basket regjistron fitoren e dytë në kampionat pas triumfit që mori në Shkodër ndaj Vllaznisë në javën hapëse dhe tashmë kryeson me 4 pikë të plota në kampionat, ndërkohë që për Tiranën vjen ndalesa e parë pas fitores me shumë vështirësi që mori në javën e parë në derbi ndaj Kamzës. Për bardheblutë duket se mbrojtja e titullit do të jetë një mision shumë i vështirë, pasi kundërshtarët në këtë edicion janë forcuar së tepërmi, ku përveç Teutës që shikohej si rivali kryesor, tashmë do t'i duhet t'i bëjë llogaritë edhe me Gogën e Partizanin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.