Shehi: Kampionati u ndal në momentin tonë më të mirë

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA SUPERIORE -

Pavarësisht ndërprerjes së kampionatit, në momentin më të mirë të Skënderbeut, trajneri Orges Shehi është i bindur se ekipi i tij duhet të vijojë punën me të njëjtin ritëm, sikundër ka bërë deri më tani. Ndaj, për të mbajtur ekipin në ritmin e ndeshjeve, drejtuesit organizuan dje një miqësore me Maliqin. Një ndeshje e tillë, sipas trajnerit Shehi, ndikon në ruajtjen e gjendjes fizike të ekipit dhe përgatitjen për takimin e radhës në kampionat, ku presin Kamzën në shtëpi. "Ndërprerja e kampionatit është e programuar shumë kohë më parë, pasi luan Kombëtarja. Janë data të përcaktuara. Ne vinim pas dy rezultatesh mjaft të mira dhe ndërprerja erdhi në momentin tonë më të mirë, por gjithçka në këtë pikë është normale. Në këtë situatë nuk na ngelej gjë tjetër, që të punonim mirë dhe të zhvillonim një ndeshje miqësore për të mbajtur ritmin. Lojtarët kanë punuar mirë gjatë kësaj jave dhe besoj se kanë bërë një punë të mirë deri më tani. Këtë javë luajmë me Kamzën dhe e dimë se të gjithë kundërshtarët janë të fortë, pa përjashtim. Luajmë në shtëpinë tonë dhe duhet që ta vlerësojmë në maksimum këtë fakt. Kampionati është i gjatë dhe ka shumë javë përpara. Nuk na intereson aspak se kush është para nesh apo kush është pas nesh. Ne na intereson vetëm puna jonë dhe fakti që duhet të mbajmë ritmin dhe entuziazmin në ekip", u shpreh trajneri Orges Shehi pas miqësores së djeshme. Ll.Saro

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.