Kamza me probleme, Duro përgatit ndryshime në sulm

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA SUPERIORE -

Kamza nuk po kalon një moment të mirë në kampionat dhe, për këtë ecuri jo të mirë, janë ngritur edhe tonet në skuadër. Ka qenë presidenti Naim Qarri që i ka bërë apel skuadrës dhe stafit teknik që të reflektojnë menjëherë, duke nisur nga transferta e Korçës, përndryshe do të ndërmerren masa. Përgatitjet për Skënderbeun kanë nisur këtë mesjavë me shpresën se kamzalinjtë do të jenë gati për të bërë autokritikën të dielën e 21 tetorit në Korçë. Përveç situatës jo të mirë që vjen nga mungesa e rezultateve, Kamza momentalisht ka edhe disa probleme dëmtimesh. Katër futbollistë janë pjesë e infermierisë dhe nuk dihet nëse do të jenë gati pas një jave. Besnik Syziut dhe Orjad Beqirit, që kanë qenë me probleme dëmtimesh edhe më herët, së fundmi u janë shtuar edhe dy titullarë, Hektor Idrizaj dhe Argjend Malaj. Idrizaj ka shfaqur probleme gjatë ndeshjes kundër Flamurtarit, ndërsa Malaj u dëmtua në seancën e së premtes dhe dyshohet për një lëndim të rëndë. Për shkak të këtyre problemeve, trajneri Klodjan Duro po provon disa skema dhe lojtarë për të gjetur formacionin për ndeshjen e radhës me Skënderbeun. Në ndeshjen e kontrollit brenda grupit, faza sulmuese iu besua treshes, Zisi-Plaku-Roloviç, të cilët mund të jenë titullarë edhe në Korçë. Ndryshime mund të ketë edhe në mbrojtje, duke ditur se janë dy lojtarë në dyshim, Orjad Beqiri dhe Hektor Idrizaj. Abdulla Dushku

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.