Histori dhe statistika, Apolonia nuk e mendon dështimin

Fierakët presin fitoren në sfidën ndaj Pogradecit

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA SUPERIORE -

Me në krye trajnerin Miho, skuadra fierake vijon përgatitjet e saj për ndeshjen që do të luajë jashtë fushe me Pogradecin. Ndonëse ka ende një javë në dispozicion, bardhejeshilët po punojnë fort, pasi e shohin Pogradecin si një nga ekipet më në formë të momentit, e dukshme dhe nga rezultatet e fundit apo dhe renditja në vendin e dytë për liqenorët. Nga ana tjetër, fierakët kanë edhe “egon” pozitive në vetvete, pasi e kanë eliminuar Pogradecin në Kupë muajin e kaluar, duke i fituar të dyja takimet. Por, janë të ndërgjegjshëm gjithashtu se në kampionat gjërat ndryshojnë dhe presin një ndeshje shumë të vështirë në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”. Pak histori Të dyja këto skuadra kanë zhvilluar gjithmonë futboll të bukur, korrekt dhe të hapur me njëratjetrën, duke mos u ndikuar aspak nga faktori fushë. Për herë të fundit në Superiore janë ndeshur në kampionatin e 73-të, në sezonin 2011-2012. Ka qenë një edicion i veçantë për një sërë elementesh: hera e fundit që Pogradeci ka luajtur në futbollin elitar; po atë sezon bie Dinamo nga Superiorja dhe ngjitet Kukësi. Në Fier fitojnë pogradecarët 3-2 atë sezon, me golat e Drazaninit, Eminhazerit dhe Jahajt, ndërsa për fierakët shënonin mbrojtësi Ndoni dhe Gërço. Në Pogradec ndeshja e atij edicioni mbyllet në barazim 1-1, me autor Eminhazerin për vendësit dhe Ledion Muçën për Apoloninë. Dhe pas asaj kohe, të dyja ekipet janë hasur me njëra-tjetrën vetëm në Kategorinë e Parë. Sezonin paraardhës u përballën plot 4 herë mes tyre, me bilancin: 1 fitore Apolonia (3-1 në Fier), 2 fitore Pogradeci (3-1 dhe 1-0, të dyja në Pogradec) dhe 1 barazim 1-1 në “Loni Papuçiu”. Skuadrat kanë ndryshuar nga kampionati i kaluar. Apolonia ka bërë përforcime cilësore, ka ndryshuar edhe trajner, por vuan në rezultate, ndërsa pogradecarëve u janë larguar disa emra cilësorë, si: Çekiçi, Shyti, J. Liçkollari, por kjo gjë i ka lënë jashtë vëmendjes së të tjerëve. Bujar Rama

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.