Elbasani ndryshon strategji në stërvitje

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA SUPERIORE -

Elbasani ka preferuar që të mos zhvillojë ndeshje miqësore këtë fundjavë, për shkak të pushimit të kampionatit, duke u përqendruar vetëm te seancat stërvitore. Verdheblutë kanë marrë ngarkesë disi më të lartë fizike këto ditë, pasi shpresojnë që të paktën në krahasim me kundërshtarët e tjerë të jenë më lart nga ana fizike. Duke qenë se teknikisht skuadra elbasanase ka mangësi, për shkak të kualiteteve që i mungojnë, në Elbasan besojnë që ana fizike të kompensojë problemet teknike. Pikërisht gjatë këtyre ditëve, lojtarët janë “shtrydhur” në stërvitje, por mbetet për t’u parë në vazhdim nëse do të rezultojë efikase për të marrë rezultatet. Kalendari u ka rezervuar një tjetër transfertë verdhebluve, pas asaj me Bylisin javën e kaluar, teksa do të udhëtojnë drejt Kavajës për t’u përballur me Besën. Pesë humbjet radhazi dhe vendi i fundit në klasifikim kanë rritur presionin në kampin elbasanas për të marrë një rezultat pozitiv, sepse çdo javë që kalon pa marrë pikë, i afron ata akoma më shumë me rënien në Kategorinë e Dytë. Megjithatë, në klub shpresojnë që të marrë fund njëherë e mirë edhe mallkimi i pikëve që këtë javë. Vladimir Mema

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.