Gjonaj: Egnatia në formë, s’ndalemi më
I skuadrës rrogozhinase bën analizën e pesë ndeshjeve të para
Pas disa ditësh intensive përgatitjesh, paraditen e djeshme rrogozhinasit u dhanë dorën e fundit përgatitjeve për këtë javë stërvitore. Edhe pse pa aktivitet për shkak të Kombëtares, puna vijoi në normalitet të plotë në shumë drejtime sipas një programi të hartuar nga vetë stafi. Që nga e marta, grupi i lojtarëve të udhëhequr nga trajnerët vijoi normalisht përgatitjet në ambientet e stadiumit. Nga ana tjetër, veç ushtrimeve fizike dhe teorike, edhe testet brenda familjes kanë marrë vëmendjen e duhur. Kanë qenë të shumta rastet që trajneri Vladimir Gjonaj ka dhënë udhëzime për më shumë saktësi. Gjithashtu, dy lojtarët Ibrahimllari e Korreshi duket se po i kalojnë dëmtimet dhe prej pushimit kanë ndjekur fazën riaftësuese. Në një bisedë për “Panorama Sport”, trajneri Vladimir Gjonaj shprehet: “Përgatitjeve të javës që lamë pas sot( dje) u dhamë dorën e fundit me një seancë gjatë paradites. Mendoj se kjo ndërprerje kishte vlerat e saj në shumë aspekte për ne, për faktin se na dha forcë e kohë për të përmirësuar defektet që janë vërejtur në sfidat e kaluara. Grupi i lojtarëve ka marrë gradualisht si gjithmonë ngarkesat e duhura fizike e teorike që kanë vlerat e tyre. Edhe në drejtim të anës taktike është vënë theksi i duhur për më shumë saktësi në vazhdim. Jo se kemi gabuar shumë, por në futboll sa më shumë të mësosh, aq më mbarë të ecën gjithçka. Nga ana tjetër, Ibrahimllari dhe Korreshi që munguan ndaj Tomorit janë duke dhënë shenja të dukshme përmirësimi. E rëndësishme është që në Orikum do t’i kemi të gatshëm për t’i hedhur në fushë nga minuta e parë”. Aldo Buzi