“Lahoz na hoqi titullin, na kërkoi falje”

Panorama Sport (Albania) - - SPANJË -

Elvio Paoloroso ishte një nga personat më të besueshëm të Tata Martinos. Ai ishte përgatitësi fizik i Barcelonës në kohën kur Gerardo Martino ishte trajner i skuadrës. Aventura e tyre nuk ishte shumë e mirë sepse u larguan pa bujë dhe pa trofe. E humbën titullin kampion në javën e fundit kundër Atletikos së Madridit, ku barazuan 1-1 në "Kamp Nou". Në atë ndeshje u shënua një gol nga Leo Mesi dhe ai u anulua nga arbitri Mateu Lahoz. Dhe Paoloroso tregon se si kryesori spanjoll i kërkoi falje ekipit të Barcelonës për vendimin e gabuar që mori. "Aty ndodhi gjithçka. Shkuam në ndeshjen e fundit të sezonit dhe menduam se do ta fitonim. Mesi shënoi gol dhe ai gol do të na jepte kampionatin, por arbitri e anuloi. Ishte ora dy e mëngjesit dhe ishim duke qarë në dhomat e zhveshjes. Arbitri erdhi dhe na kërkoi falje. Ishte një gjest për t'u vlerësuar, por zhgënjimi ynë ishte i madh për humbjen e titullit. Ishte një vit shumë i ndërlikuar për ne. Mediat nuk na trajtuan shumë mirë sepse Martino nuk kishte eksperiencë në Europë", ka thënë ish-ndihmësi i Barcelonës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.