Holanda super, zhyt në errësirë Gjermaninë

Van Dajk, Depai e Vajnaldum u japin leksion "pancerave"

Panorama Sport (Albania) - - FAQE 1 - Përgatiti: JETON STAMOLLA

Edhe ai duhet të ketë du artrokitur nga qielli dishepujt e tij... Në tempullin e Johan Krujfit, cilësia ekstreme e Gjermanisë përplaset me centimetrat dhe forcën fizike të Holandës. Ky mund të jetë një paradoks sepse Holanda e Johan Krujfit ishte diçka krejt tjetër, por kjo fitore madhështore e "tulipanëve" vjen pas 16 vitesh dhe ka të njëjtën shije si ajo e kohëve të legjendës holandeze. Natën e djeshme, në Amsterdam, ishte një spektakël i vërtetë, një rikthim në të shkuarën, ndoshta jo me kohën e Krujfit, por të paktën me atë Holandë të 8 viteve më parë, kur përballë Spanjës në finale luftonte për t'u ngjitur në tarracën e globit. Në një "Johan Krujf Stadium" i veshur i gjithi portokalli, Holanda entuziazmoi tifozët e saj, por në të njëjtën kohë zhyti edhe më shumë në errësirë atë Gjermani, e cila duket se vazhdon të mbetet mes maktheve të përjetuara në Botërorin "Rusi 2018" dhe ende për momentin, nuk duket asnjë rreze drite në tunelin ku kanë përfunduar, pasi dje, disfata 3-0 ishte turpëruese, pas golave të Van Dajk, Depai dhe Vajnaldum. Gjithsesi, diferenca mund të kishte qenë edhe më e madhe... Ndeshja - Ndodh që Myler impenjon Sillesenin pas çerek ore lojë, por në pjesën tjetër të fraksionit të parë të lojës ishte ajo "dallgë" gjigante portokalli që futi në hije gjermanët. Lodhja në organizimin e lojës për gjermanët u shndërrua në frikë dhe shumë shpejt edhe në disavantazh. Për këtë mendon Van Dajk, me kokë, duke devijuar topin e kthyer nga traversa, pas goditjes së Babel (edhe dalja e Nojerit ishte shumë e gabuar). Dhe ndërsa Uth (e para absolute për të në sulmin gjerman) nervozohet duke shkelur këmbët dhe ambiciet e Vernerit, De Ligt dhe Van Dajk frenojnë gjithçka që tenton t'u afrohet zonës së tyre. Duket një simfoni e provuar dhe e riprovuar, shkurt e interpretuar në perfeksion. Edhe Ginter vendos që të regjistrohet në zyrën e superheronjve, pasi paraprin goditjen që Babeli përgatitej ta devijonte në portën thuajse të boshatisur dhe lejon që disavantazhi gjerman në fund të pjesës së parë te jetë vetëm 1 gol. Ndërrime të kota - Trajneri Lëv mundohet të ndryshojë diçka që në startin e pjesës së dytë: Sane dhe Draksler për Myler e Xhan. Talenti i Mançester Sitit është shumë i gjallë, madje spektakolar, duke dribluar këdo që i del përpara në korsinë e majtë me një thjeshtësi jonjerëzore. Një lojtar shumë i bukur për t'u parë, por fatkeqësisht pak efikas. Kjo, sepse në "autostradat" që Depai, Vijnaldum e Promes gjejnë në minutat finale, teksa Gjermania ishte lëshuar përpara, e dëshpëruar për të barazuar, prapavija e "pancerave" tradhtohet nga pjesa tjetër e skuadrës dhe hyn aq shumë në panik, sa në minutën e 86-të Promes gjen 50 metra fushë bosh përpara dhe pason për Depai që bën 2-0 (Nojer prek vetëm me këmbë, por nuk e ndal), ndërsa Vijnaldum në të 93- ën "vallëzon" mes tri mbrojtësve të fjetur rivalë dhe rrumbullakos rezultatin në 30. Gjermania tani është e fundit në grup dhe rrezikon zbritjen në Ligën B, ndërsa Holanda tani mund të ëndërrojë seriozisht...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.